Ditën e martë, 29 shtator 2020, në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës u zhvillua Forumi i Diskutimit “Informaliteti dhe qarkulllimi i parasë cash ‘ushqejnë’ njeri-tjetrin”, organizuar nga grupimi studentor ABC Tirana Club.
Studentët janë duke zhvilluar një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi për reduktimin e parasë në qarkullim.
Ky forum ishte aktiviteti i dytë që zhvillohet nga ABC Tirana Club. Ata po zbatojmë programin “Edukimi ekonomik dhe finanaciar i publikut”, një cikël aktivitetesh tematike për informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve në aspekte të ndryshme që lidhen me zhvillimet ekonomike dhe financiare të vendit.
“Vitin e kaluar realizuam edicionin e parë titulluar ‘Shit dhe bli vetëm në monendhën kombëtare, Lek’. Këtë vit, në edicionin e dytë, jemi fokusuar në një tjetër aspekt të rëndësishëm të ekonomisë, tek reduktimi i qarkullimit të parasë cash.
Si një organizatë proevropianiste, ABC Tirana Club, i shikon këto problematika të lidhura me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Ndaj duam të kontribuojmë konkretisht dhe këtë program e shikojmë si efektiv dhe me ndikim në publik, veçanërisht në rradhët të rinjve student”, thotë Johan Muka, drejtues i ABC Tirana Club.
Gjatë Forumit të Diskutimit, ku u përfshinë studentë dhe pedagogë, u përmendën si faktorë kryesorë për nivelin e lartë të qarkullimit të parasë cash, shkalla e lartë e informalitetit, evazioni fiskal, por dhe standardi i ulët i edukimit të publikut dhe e sipërmarrësve në aplikimin e pagesave elektronike.
Pjesmarrësit në Forum u fokusuan dhe në gjetjet e një ankete që ka zhvilluar së fundmi ABC Tirana Club, ku janë pyetur 350 konsumatorë mbi perceptimet dhe vlerësimet e tyre mbi qarkullimin e parasë cash, si dhe aplikimin e shërbimeve online nga sistemi bankar.
Dekani i Fakultetit Ekonomik prof. dr. Dhori Kule ka vlerësuar projektin studentor.
“Angazhimi i studentëve në problematika të tilla konkretizon njohuritë që ata marrin në auditor. Ata mësohen të ndeshen që tani me realitetin, t’i përgjigjen sfidave që ka vendi Ne do të nxisim iniciativa të tilla studentore”, tha prof. Kule.
Gjatë Forumit u theksua se niveli i lartë i qarkullimit të parasë fizike në Shqipëri është një fenomen shqetësues, që e rendit vendin tonë të fundit në rajon. Referuar shifrave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, sasia e parave jashtë sistemit bankar arriti në muajin korrik të këtij viti në vlerën e 324.5 miliardë lekëve, ose 2.6 miliardë euro.
Kjo shënoi rritje me rreth 41 miliardë lekë më shumë, kundrejt korrikut të vitit 2019. Tendenca e shtimit të parasë cash në ekonomi nuk është evidentuar vetëm gjatë korrikut, por prej fillimit të këtij viti, për t’u përkeqësuar ndjeshëm gjatë marsit, kohë kur shpërtheu edhe Covid-19 në vend.
Ky angazhim i studentëve u mbështet nga Raifeissen Invest dhe në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.