Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi akuzoi kryeministrin Ramën dhe shumicën socialiste se po shkelin marrëveshjen e 5 qershorit, duke rrezikuar dhe integrimin e vendit në BE.
Ftuar në emisionin ‘Pa protokoll’ në Report Tv, Zonja Vokshi tha se votimi i sotëm i propozimeve të PS-së në Komisionin e Ligjeve ‘është shkelje flagrante e marrëveshjes së 5 qershorit’.
Ish-deputetja sqaroi se reforma zgjedhore e gjithëanshme është një ndër kushtet kryesore që vendi duhet të plotësonte para zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare:
‘Votimi i sotëm e çon shumë hapa pas Shqipërinë në rrugën e integrimit europian. Shqipëria është në pritje të datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në.
Kushti i parë që duhet të plotësojë Shqipëria është reforma zgjedhore, gjithëpërfshirëse, sipas marrëveshjes së 5 qershorit. [Ndryshimet e Kodit Zgjedhor] janë miratime të njëanshme, nuk janë as me konsensus dhe as gjithëpërfshirëse.’
Vokshi theksoi se me votimin e njëanshëm dhe pa konsensus të këtyrë ndryshimeve, Rama dhe shumica socialiste zhgënjyen qytetarët dhe ndërkombëtarët.
Komisioni i Ligjeve miratoi të premten propozimin e PS-së për ndryshimet e reformës zgjedhore.
Ndryshimet e miratuara në Komision janë vendosja e koalicioneve parazgjedhore me një listë të vetme, pragun kombëtar 1%, kandidimi i krytarëve të partive deri në 4 zona zgjedhore dhe caktimi i deputetëve me lista të mbyllura, të caktuar nga kryetari i partisë.
Komisioni hodhi poshtë propozimin e opozitës parlamentare për zgjedhjen e deputetëve nga qytetarët. Ndërsa nuk mori në shqyrtim propozimin e PD-së për hapjen e listave 100%, me renditje sopas rendit alfabetik.
Drafti i miratuar tek ligjet do të shqyrtohet në kuvend më 5 tetor.