Kryeministri Edi Rama hoqi çdo përgjegjësi nga qeveria për mosmarrjen e pagave të naftëtarëve të Ballshit.
Në një takim me median të martën, Rama tha:
“Ne kemi ndihmuar sa kemi mundur. Ne nuk mund të mbahemi fajtor.”
Ai tregoi se në rafinerinë e Ballshit ka nevojë për investime dhe privatizimi duhet të “ishte bërë për ta rimëkëmbur përmes investimeve. Në atë ndërmarrje asnjëherë nuk u bënë investime serioze. Ajo rafineri është keq shfrytëzuar”.
Kryeministri tha se qeveria po flet me BE-në për ta mbyllur rafinerinë dhe për të ndihmuar me asistencë punonjësit që do të dalin të papunë.
“Ajo rafineri do një politikë tjetër që ne po punojmë me BE, për të mbajtur një ekuilibër në sensin e amortizimit social, rafineria mbyllet përfundimisht, ne po kërkojmë ta zgjidhim”.
Rama e quajti të panevojshme grevën e urisë së naftëtarëve sepse ‘gjërat mund të zgjidhen me dialog’ sipas tij.
Naftëtarët e Ballshit, prej 9 ditësh, kanë nisur grevë urie pasi kanë më shumë se një vit që nuk marrin pagat. Para grevës ata protestuan disa javë me radhë, madje dhe para ministrisë së Infrastrukturës por as ministrja Balluku dhe as ndonjë përfaqësues tjetër i qeverisë nuk denjoi t’i takojë naftëtarët.
Kjo është greva e dytë e naftëtarëve brenda një viti.
Në shkurt 2020, naftëtarët u futën në grevë urie për rrogat prapambetura por pranuan të riktheheshin sërish në punë kur u njoftuan se një kompani e re do të merrte administrimin e rafinerisë dhe se do të gjehej një mundësi për të paguar rrogat e prapambetura.