Veliaj deklaron se nuk pastrohen para me kullat që po ndërtohen në Tiranë. Në një bisedë me gazetaren Eni Vasili, për Open, Veliaj e quan raportin e Global Initiative, një raport të PD-së të kryer nga një organizatë jofitimprurëse.
Në të vërtet, raporti për ‘Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut’, të Global Initiative, për vitin 2019, u financua nga projekti gjerman GIZ dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze.
Raporti ka gjetur se Shqipëria është kthyer në parajsën e pastrimit të parave të fituara nga aktivitete kriminale, të cilat janë burimi kryesor i parave të pista në vend.
Pas trafikimit të narkotikëve, korrupsioni dhe vjedhjet e fondeve publike janë burimi i dytë më i madh i parave të paligjshme në Shqipëri.
Pjesa më e madhe e fitimeve nga trafiku ndërkombëtar i drogës së bandave shqiptare, sillen në Shqipëri dhe injektohen në ekonomi, veçanërisht në ndërtim.