Të infektuarit me koronavirus në Shqipëri do të mund të përfitojnë nga trajtimi me ilaçin Remdesivir.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi, të shtunën, se qeveria ka siguruar ilaçin dhe se ai do të ofrohet falas për të infektuarit:
“Nëpërmjet prokurimit të përbashkët me vendet e Bashkimit Europian kemi arritur të sigurojmë dhe terapinë e remdesivirit. Një terapi që përdoret tashmë prej pak kohës në vendet e Europës, në Amerikë gjithashtu. Ne lidhëm këtë kontratë për ta siguruar për qytetarët shqiptarë falas.”
Shqipëria do të përfitojë ilaçin Remdesivir, si pjesë e marrëveshjes së Komisioni Evropian për blerjen e 500 mijë dozave të këtij ilaçi.
Kjo kontratë u financua nga Instrumenti i Ndihmës Emergjente i Komisionit me një vlerë totale prej 70 milion eurosh.
Remdesiviri u miratua për përdorimin në rast të emergjencës në SHBA, Indi dhe Singapor, dhe u miratua në BE, Japoni dhe Australi për përdorim në personat me simptoma të rënda.
Ky është një ilaç i shtrenjtë i prodhuar nga një kompani amerikane. Në fillim është përdorur për trajtimin e Hepatitit C, dhe më pas për Ebolën.
Në rastin e të sëmurëve me Covid-19 ende nuk dihet nëse ka efekt në uljen e vdekshmërisë.