Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i ka bërë apel qytetarëve që të mbajnë maskat mbrojtëse në të gjithë ambientet, të hapura dhe të mbyllura.
Përmes një videoje në rrjetet sociale, Manastirliu theksoi se pavarësisht përgatitjes dhe punës së përditshme të spitaleve Covid, qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjësuar se në luftën kundër Covid-19 ka rëndësi shumë të madhe dhe zbatimi i rregullave nga qytetarët.
“Pavarësisht kapaciteteve spitalore dhe përgatitjes që kemi bërë dhe po bëjmë për t’u përballur me virusin, është jeta e shqiptarëve që ne duhet të mbrojmë, ndaj secili nga ne ka detyra për të përmbushur në këtë betejë. Të ndihmojmë veten dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbrojmë shëndetin duke vendosur barrierat mbrojtëse,” u shpreh Manastirliu.
Prej 15 tetorit, mbajtja e maskave mbrojtëse do të jetë detyrim për çdo qytetar, në të gjitha ambientet, të mbyllura dhe të hapura.