Arben Hasanaj, babai i të dyshuarit kryesor të atentatit ndaj Mentor Hasanajt, i ka bërë thirrje publike djalit të tij që të dorëzohet në polici.
Arben Hasanaj, ish-polic, deklaroi se do të bashkëpunojë me policinë për kapjen e djalit të tij dhe zbardhjen e ngjarjes.
“Të dorëzohet në emrin tim. Do e përkrah do e mbështes e ta mbaj afër. I lutem me mish e me shpirt gjithkujt që e njeh dhe e dikton djalin tim të më njoftojë,” u shpreh i prekur Hasanaj.
Ai tha se me familjen e të plagosurve nuk kanë pasur konflikte dhe nuk e di se përse djali i tij mund t’i ketë plagosur.
Prej disa ditësh, policia e Shkodrës dyshon se 19-vjeçari, Ilirian Hasanaj, ka qenë autori i plagosjes së Xhelal dhe Mentor Hasanajt, të dielën 11 tetor.
Pasditen e së dielës, Xhelal dhe Mentor Hasanaj u plagosën me armë zjarri. Bashkë me to ka qenë dhe bashkëshortja e Mentorit, e cila ka shpëtuar pa u lënduar.
Mentor Hasanaj u transportua drejt spitalit të Tiranës, pasi gjendja e tij shëndetësore është shumë e rëndë, ndërsa Xhelali po trajtohet në Spitalin e Shkodrës.
Mentor Hasanaj është Shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe.