Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi, të martën, se qeveria po mundohet ta parandalojë një mbyllje të dytë totale të vendit.
Duke folur në emisionin Wake Up, në Top Channel, Rakacolli u shpreh se treguesit ku bazohen ekspertët për të marrë vendimin e një mbylljeje totale të dytë, janë komplekse dhe të gjithë institucionet e përfshira në luftën kundër koronavirusit, po mundohen ta parandalojnë atë:
“Natyrisht që është një gjë që po mundohemi shumë të parandalojmë, por është një problem që ne e diskutojmë mjaft.
Nuk ka një tregues të vetëm, të cilit ne duhet të bazohemi që të vendosim për të bërë mbylljen e disa aktiviteteve.”
Sipas Rakacollit rritja e madhe e numrit të viktimave dhe i pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor, mund të çonte në një mbyllje të dytë:
“[Duhen parë] numri i jetëve të humbura dhe numri i atyre që kanë nevojë për marrjen e kujdesit intensiv.
Pra, një ndërthurje e këtyre numrave, një analizë e thelluar në ndërthurjen e këtyre numrave mund të na çojë në atë masë.”
Aktualisht në vend ka 6 729 të infektuar aktivë dhe në dy spitalet Covid po trajtohen 259 pacientë, 22 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.