Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur sot, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, më 29 nëntor.
Sipas njoftimit nga Presidenca, zgjedhjet në këto dy komuna do të mbahen në “koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse, në pajtim me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, raporton Radio Evropa e Lirë.
Presidenti Thaçi më herët kishte shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto dy komuna, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
Komuna e Podujevës ka mbetur pa kryetar prej fillimit të shkurtit, kur Agim Veliu ka dhënë dorëheqje, pasi u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë e ish-kryeministrit Albin Kurti.
Pa kryetar, nga fillimi i qershorit, ka mbetur edhe Mitrovica e Veriut, pasi Goran Rakiq, nga Lista Serbe, u emërua zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e re të Avdullah Hotit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti cakton dhe shpall datën zgjedhjeve.