Më shumë se një vit më parë, një major i Forcave Ajrore, instruktor pilotësh në Repartin e Farkës, humbi jetën në Spanjë mbasi helikopteri që ai drejtonte u rrëzua duke u përpjekur t’i shpëtontë ndjekjes ajrore të policisë spanjolle. Majori shqiptar po transportonte rreth një ton marijuanë nga Maroku në Spanjë.
Duke ju drejtuar deputetëve të opozitës në Kuvend, kryeminisitri Rama deklaroi atëherë se “ky major është në strukturat e Forcave të Armatosura prej 18 vitesh. Një ndër pilotët më të besuar. Çfarë sensi ka që ne t’i hyjmë në grindjeje a është majori juaj apo i yni?”
Qëndrimi indiferent dhe i patrazuar i Kryeministrit duket se u bë qëndrimi i forcave tona ajrore. Asnjë hetim nuk u bë për këtë rast skandaloz dhe asnjë masë nuk u mor. Edhe pse me dhjetra persona dhe struktura kishin dështuar për të zbuluar dhe parandaluar përfshirjen e një drejtuesi kaq të lartë në trafikun ndërkombëtar të drogës, askush nuk mbajti përgjegjësi. Edhe pse mund të ishin shkelur shumë rregulla organizative dhe ushtarake, askujt nuk ju kërkua llogari e çdo gjë vazhdoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Një vit e ca më vonë, një helikopter po i repartit të Farkës u rrëzua në rrethana të paqarta në Liqenin e Shkodrës, si pasojë e të cilit humbën jetën dy pilotë, ndërkohë që një ushtar në bord u hodh nga helikopteri para përplasjes dhe shpëtoi. Ministria e Mbrojtjes u ngut që brenda pak orëve nga aksidenti t’i shpallte viktimat e aksidentit “Dëshmorë të Atdheut” dhe t’u jepte atyre nderimet përkatëse për përcjelljen e tyre në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Prokuroria ushtarake ka filluar hetimin, por në publik janë hedhur shumë dyshime rreth misionit të helikopterit dhe rrethanave të rrëzimit të tij.
Para disa ditësh, Lapsi.al publikoi një dokument që bën pjesë në planin e fluturimit të helikopterit. Në emisionin e javës së shkuar “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, ish-këshilltari për sigurinë kombëtare Ilir Kulla i Presidentit Bamir Topi tregoi dhe komentoi të njejtin dokument.
Dokumenti i firmosur një ditë para fluturimit fatal, tregon programin e fluturimit të helikopterëve në bazën e Farkës për ditën pasardhëse. Sipas standarteve ushtarake, dokumenti jep të dhënat për çdo fluturim të parashikuar: mjeti i cili do të përdoret, numrin e matrikulimit, numrin e misionit, orën e parashikuar të nisjes, shpejtësinë, lartësinë maksimale të ngjitjes, pikat e kalimit, pikën e mbërritjes, kohëzgjatjen e parashikuar të fluturimit, karburantin që nevojitet, një pistë alternative të uljes në rast nevoje, numrat e matrikulës së pilotëve, numrin e përgjithshëm të personave në bord, ngjyrën e mjetit. Dokumentit i bashkangjitet një letër e cila tregon rrugën e parashikuar nga fluturimi me lartësitë që duhen ndjekur nëpër vijën e fluturimit.
Ky dokument përgatitet për çdo fluturim të parashikuar një ditë më përpara, miratohet dhe firmoset nga komandanti dhe nga përgjegjësi i sigurisë së fluturimeve dhe në fund i dërgohet komandës së lartë.
Dokumenti është firmosur nga një teknik i zyrës së sigurisë major Skerdilajd Zavalani, që sipas Ilir Kullës nuk kishtë detyrën dhe specializimin e duhur për të mbuluar detyrën e përgjegjësit të sigurisë.
Nga dokumenti lexohet qartësisht që në fluturimin më numër FNV 03 të datës 6 maj 2016, me helikopterin 145 me numër matrikule 637 janë parashikuar vetëm dy persona në të, pra vetëm dy pilotët.
Dhe të gjithë e dimë se dy pilotët humbën jetën, por pasagjeri i tretë mbijetoi, një pasagjer i cili, sipas planit të fluturimit, nuk duhet të ishte në helikopter.
Nga letra që tregon gjurmët e fluturimit mund të lexohen lartësitë e caktuara të fluturimit, dhe gjurma që bie mbi zonat malore tregon lartësinë 2133 metra, ndërsa gjurma që bie mbi liqenin e Shkodrës është me lartësi 1371 metra. Në çdo rast, një helikopter nuk mund të fluturojë asnjëherë më ulët se 270 m. Por të dhënat e rrjedhura në media nga hetimet dhe dëshmitarët, tregojnë se para rrëzimit helikopteri ka qenë duke fluturuar në lartësi rreth 20-30 metra.
Ndërsa hetimi është duke vazhduar, Ministria e Mbrojtjes nuk mund të injorojë pikëpyetjet e mëdha që janë ngritur mbi të dhe mbi forcat e armatosura. Përveç hetimit penal Ministria duhet të kryejë hetimin dhe analizën e saj administrative si dhe të marrë masat e nevojshme për të shmangur fatkeqësi të tilla. Mbi të gjitha ajo duhet të bëjë transparencë të plotë me publikun për të siguruar besueshmërinë e tij ndaj forcave të armatosura.