Kryeministri Edi Rama deklaroi, të martën, se numri i testimeve që raportohet çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë është vetëm numri i testimeve që bëhet nga Instituti i Shëndetit Publik, pa përfshirë ato që bëhen në spitalet private.
Gjatë një deklarate për shtyp, Rama tha se është konsultuar me Komitetin e Ekspertëve dhe sipas tyre:
“Nuk numërohen testet që bëhen në privat, përveçse pozitivët. Në rastet e pozitivitetit, kjo përfshihet nga statistikat e përditësuara. Numri i testeve i përgjithshëm që i jepet publiku është vetëm ai në institucionet publike.”
Lidhur me testet e shpejta, Rama tha se ekspertët kanë vlerësuar se nuk janë të domosdoshëm:
“Nuk kemi teste të shpejta. Jo sepse nuk i gjenim dot, por sepse është parë e arsyeshme nga ekspertët që të ketë vetëm PCR.”
Ai la të hapur mundësinë se këto teste mund të hyjnë së shpejti.