Bizneset prodhuese të vogla dhe të mesme do të përfitojnë 4 mijë lekë ndihmë përçdo punonjës nga qeveria për 2 muaj nëntor-dhjetor 2020.
Vendimi u miratua të mërkurën nga qeveria me qëllim zbatimin e protokollit të Covid-19.
Vlera totale e parashikuar nga qeveria për skemën financiarë është 187 092 000 lek, ose 1 523 00 euro.
Si përfitohet ndihma ekonomike:
Biznesi aplikon pranë drejtorisë së tatimeve, online, njësoj siç ka vepruar për aplikimet në dy skemat e mëparshme të ndihmës.
Ai dorëzon numrin e llogarisë bankare, numrin e IBAN-it, numrin e punonjësve dhe Numrin tregtar (NIPT).
Pagesën e përfitojnë punonjësit e deklaruar në listë pagesën e bizneseve përpara miratimit të këtij vendimi.
Në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para.
Nuk konsiderohen të punësuar individët e deklaruar me 0 (zero) lekë në listëpagesë.
Nuk përfitojnë nga ndihma financiare ndërmarrjet, të cilat nuk rezultojnë aktive në datën e hyrjes në fuqi të vendimit e që nuk kanë dorëzuar deklaratë vjetore për vitin 2019 (tatim i fitimit ose tatim i thjeshtuar mbi fitimin).
Administrata tatimore, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e aplikimit shpall listën e bizneseve përfituese.
Lista e ndërmarrjeve përfituese publikohet në website-in e administratës tatimore.