Partia Demokratike i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Rama se qeveria e djathtë dhe Lulzim Basha kanë mbështetur raportin e Dick Martit, mbi të cilin sot po bazohet hetimi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe liderëve të Kosovës.
Në një postim në Facebook, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka shkruan se Rama ka lobuar ‘më fort se serbët për t’i kaluar Mitrovicën e Veriut Serbisë’.
Paloka shkruan se Rama se puthej me zëdhënësin e Millosheviçit, Aleksandar Vuçiçin në të njëjtën kohë që poshtëronte lidershipin politik të Kosovës dhe heronjtë e gjallë të UÇK-së.
Ai e akuzoi kryeministrin se e ka keqpërdorur Kosovën vetëm për interesat e veta:
“Rama edhe Kosovën e keqpërdori vetëm për interesa të tij . Nuk është rastësi që, nën qeverisjen e Ramës, s’ka patur asnjë njohje, por vetëm çnjohje të Kosovës.”
Duke folur për kontributin e ish-kryeministrit Berisha dhe kreut të PD-së Basha, Paloka u shpreh:
“Kontributi i Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për Kosovën njihet dhe vlerësohet sot nga çdo qytetar i saj, si gjatë luftës, në shpalljen e pavaresisë dhe njohjen e saj ndërkombëtare.”