Partia Demokratike ka akuzuar kryeminstrin Rama se prej vitesh i bën naftëtarëve premtime boshe, ndërsa në realitet i çon në rafineri investitorë mashtrues.
Në një postim në Facebook, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj publikoi një video me deklaratat e Ramës ndër vite ku premton mbështetje për qytetarët.
“Historia e mashtrimeve dhe e vjedhjeve të pasurisë kombëtare përsëritet çdo herë me Edi Ramën. Edi Rama di vetëm të gënjejë! Një gënjeshtër sot, një gënjështër mot, ka kaq vite që u bën naftëtarëve premtime boshe.
“U mbars mali e polli një mi” – është thënia që i rri më mirë Edi Ramës, sepse edhe kësaj here asgjë nuk ka për të ndodhur. Naftëtarët do të vuajnë, nafta do të vidhet.”
Më herët naftëtarët kanë njoftuar se kanë pranuar propozimin e Ramës për të marrë një pagë të vetme dhe kanë marrë prej kryeministrit premtimin për të gjetur një investitor serioz.