Komisioni i Ekonomisë ka shtyrë për dy vjet ligjin për regjistrimin e popullsisë, i cili ishte parashikuar për tu mbajtur në vitin 2020.
Drejtoresha e INSTAT-it Elsa Dhuli sqaroi të mërkurën, në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, se ligji u shty për shkak të tërmetit dhe pandemisë.
“INSTAT ka propozuar realizimin e censit të popullsisë dhe banesave në tetor të vitit 2022, punimet për realizimin e tij kanë nisur që në vitin 2018, dhe është parashikuar që nxjerrja e rezultateve të ndodhë në 2023,” u shpreh Dhuli.
Sipas saj, censi i popullsisë do të kushtojë 16,5 milionë euro:
“Kostoja e censit do të jetë 16.5 milionë euro, 54 përqind do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërkohë donatorët e tjerë janë: donatori kryesor është Komisioni Evropian, qeveria zvicerane dhe deri tani është ofruar edhe qeveria suedeze.”
Në rast se realizohet, ky do të jetë censi i 11-të për Shqipërinë që prej vitit 1923.