Gjykata e Fierit ka detyruar kompaninë Albpetrol të paguajë 400 mijë euro drejt ish drejtorit të Qendrës së Furnizimeve me Energji Elektrike (QSFSHE) në varësi të kompanisë, Marjus Isufaj dhe familjarëve të tij.
Në vendimin e datës 26 tetor, gjykata e Fierit ka argumentuar se Isufaj është larguar nga puna për shkak të aktivizimit të tij me LSI, duke e konsideruar diskriminim për shkak të bindjeve politike.
Kompania Albetrol ka larguar nga puna Isufajn në tetor të 2019. Pas këtij vendimi Isufaj ka paditur kompaninë për prishje të kontratës së punës në mënyrë të paligjshme. Gjykata i ka dhënë të drejtë Isufajt dhe detyroi kompaninë Albpetrol t’i paguajë 21 paga.
Ky vendim u la në fuqi dhe nga Apeli i Vlorës.
Më pas Isufaj paditi kompaninë Albpetrol për dëm jashtëkontrantor duke pretenduar se është diskriminuar për shkak të bindjeve politike dhe argumentuar se largimi nga puna ka shkaktuar tronditje psikike te ai dhe familjarët e tij.
Gjykata e Fierit i gjeti të bazuara të gjitha pretendimet e tij, duke argumentuar se largimi nga puna në mënyrë të menjëhershme është i paligjshëm dhe Albpetrol ka diskriminuar Isufajn për shkak të bindjeve politike.