Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi të premten, se deklarata e tij për Kosovën dhe një konflikt të mundshëm të armatosur është keqkuptuar.
Sipas B92, Vuçiç ka sqaruar se konflikti i armatosur Kosovë-Serbi nuk është i dëshirueshëm për asnjërën palë dhe duhet të shmanget me çdo kusht:
“Ata kanë probleme të brendshme, deklarata ime ishte precize dhe e qartë. Kam folur për atë se duhet të shmangim politikën e konfliktit të ngrirë dhe se një konflikt i ngrirë në të ardhmen do të mund të sjell përplasje të armatosura, gjë që nuk e dëshiron askush.”
Një ditë më parë, Vuçiç deklaroi se zgjidhja më e mirë e mundshme për konfliktin Kosovë-Serbi është përmes dialogut, pasi në të kundërt, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorno-Karabakut.
Menjëherë pas deklaratës, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani i kërkoi Bashkimit Evropian dhe NATO-s të reagojë ndaj “kërcënimit” të Vuçiçit për “luftë të dhunshme”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se deklarimet e presidentit të Serbisë nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.