Reforma fiskale në kohën e pandemisë dhe zgjedhjeve të ardhme

Nga Altax
Reforma fiskale në kohën e pandemisë dhe zgjedhjeve të ardhme

Një qeveri popullore që gëzon mbështetjen e votuesve me bazë të gjerë për politikat e saj ka më pak të ngjarë të vuajë pasoja negative në zgjedhjet pasuese në rastin kur zbaton reforma tatimore, që kanë kosto më të lartë për biznese e mëdha dhe individët më të pasur. Në fakt reformat e kanë efektin e duhur nëse bëhen në në fillimin e qeverisjes dhe jo në mes apo në fund të saj.

Tashmë nga efekti i COVID-19, qeveria mund ta shohi konsolidimin e financave publike me mjaft shqetësim duke pasur parasysh zgjedhjen e vështirë fiskale që do të duhet të përballet në mënyrë të pashmangshme. Por konsolidimi fiskal i bazuar në taksat nuk ka pse të mbartë me vete domosdoshmërisht kosto politike penalizuese. Kostot mund të shmangen, ose të paktën të ulen ndjeshëm, nëse në programet ekonomike dhe politike merret parasysh faktorizimi i tyre nga efektet që po prodhon pandemia.

Në mungesën e një debati që do ti vlente edhe qeverisë për të analizuar dhe përshtatur programet, ne në ALTAX po japim disa mendime duke patur në vëmendje dinamikat që kanë shoqëruar ekonominë dhe buxhetin në gjithë këta muaj të vitit 2020.

Nisur nga fakti se në këtë vit qeveria ka drejtuar me qasjen se “ka bërë çfarë ka qenë e mundur”, tashmë që vjen e afrohet koha për zgjedhjet politike të radhës, votuesit me të vërtetë duket se munden ta penalizojnë qeverinë nëse ajo do të miratojë politika që synojnë konsolidimin fiskal të bazuar në rritjen e taksave. Nisur nga studime të kryera në lidhje me përballjen e konsolidimit fiskal me votën elektorale duket se mundësitë e rizgjedhjes së politikanëve për të qenë forcë politike me mandat për qeverisje bien ndjeshëm nëse ecet në drejtim të konsolidimit fiskal me rritje taksash. Kështu, studimi i kryer për këtë qëllim tregon se nëse arrihet konsolidimi fiskal me 1 pikë përqindje e PBB-së do të ketë një efekt që ul mundësinë e rizgjedhjes të qeverisë me rreth 8 pikë përqindje.

Partia në qeverisje ka të ngjarë të marrë më pak votat sesa në zgjedhjet e mëparshme.

Por deficiti buxhetor këtë vit është shumë më i lartë dhe rrjedhimisht do të ketë efekt në akumulimin e një borxhi publik shumë më të lartë se në fillim të qeverisjes.

Nëse do të zbatohen reforma fiskale gjatë periudhës së recesionit ekonomik votuesit do të penalizojnë partinë në pushtet edhe më shumë nëse kjo do të rriste koston e jetesës dhe bizneseve. Nga ana tjetër duke mbajtur qasjen e një politike fiskale shtërnguese në këto kohë të këqija, ekonomia mund të tkurret edhe më tej, duke krijuar më shumë efekte që do ndihen nga votuesit për periudhën afatshkurtër deri në zgjedhje. E gjitha kjo skemë, nëse zbatohet bëhet mjaft sfiduese politikisht për çdo forcë politike në pushtet, pavarësisht nivelit të mbështetjes së votuesve.

Në këtë këndvështrim është kjo arsyeja pse drejtuesit e partive politike që kanë qeverisur vendin e kanë gjetur si formulë efektive, që të bëjnë të kundërtën e asaj që premtojnë para se të marrin mandatin. Ata kanë ulur taksat kryesisht me efekte minore në buxhet, por kanë prishur formulat e administrimit për taksat të arritura me mundim dhe kanë rritur deficitin publik nëpërmjet marrjes së borxheve. Marrja e borxheve për të shlyer borxhe dhe ulja e taksave kur nuk ka mbetur më çfarë të ulet ka penguar konsolidimin fiskal de facto.

Po në fakt ekonomia dhe taksat kanë nevojë për një politikë efektive ndryshe nga më përpara.  Masat më efektive të politikës tatimore duhet të jenë ato që synojnë çështje specifike. Kështu lehtësitë e miratuara për ulje taksash dhe rritje pragu TVSH në funksion të lehtësimit të barrës së bizneseve të vogla dukje u dhënë ndërkohë edhe kohë shtesë për të paguar taksat deri tani kanë ndihmuar padyshim që të gjithë të arrijnë ta mbajnë “kokën mbi ujë”.

Por këto masa nuk mund të mbajnë më tepër, pasi të tillë e kanë efektin e tyre.

Në këto rrethana, reduktimi i kostos së punës, për shembull përmes përjashtimeve të përkohshme nga taksa e pagave, mund të ndihmojnë në kufizimin e kostove afatgjata për shkak të prishjes së marrëdhënieve punëdhënës-punonjës. Kostot e punës në distancë dhe rreziku që njerëzit të injorojnë masat e distancës fizike mund të zvogëlohet duke hequr dorë përkohësisht p.sh. nga taksat mbi komunikimet dixhitale, duke ulur në këtë mënyrë kostot e shumicës së bizneseve, por edhe të njerëzve në përgjithësi.

Fokusi i politikës së buxhetit mund të zhvendoset nga mbështetja për të kufizuar efektin e pandemisë në përpjekjet për të ruajtur kapacitetin ekonomik duke stimuluar rimëkëmbjen ekonomike nëpërmjet përthithjes së kapitaleve nga ekonomia informale dhe individët e pasur. Ky progresion drejt rimëkëmbjes ka të ngjarë të mos jetë i qetë, megjithatë duke gjykuar se masat e kufizimit dhe zbutjes do të jenë të zbatueshme pjesërisht, kjo mund të rrisë rreziqet e rikuperimit të pabarabartë midis sektorëve, pasi ata ndikohen në mënyra të ndryshme.

Në këtë proces analize do të duhet të mbahet parasysh se jo të gjitha efektet nga reforma pjesore tatimore kryesisht ndaj biznesit të vogël do të ketë efekte të barabarta nga perspektiva elektorale. Në radhë të parë votuesit që ndihen të trajtuar në mënyrë të pabarabartë përballë zbatimit të reformave të mëparshme dhe atyre më vonë do të jenë abstenuesit e parë ndaj qeverisë. Por midis taksave direkte të biznesit të vogël, ne mendojmë se rritjet e tatimit mbi fitimin e bizneseve të mëdha që kanë përfituar nga kjo situatë mund të ndihmojnë në zbutjen e kostos më të lartë në këtë kohë para zgjedhjeve.

Projektimi i politikës fiskale i lidhur me kohën e mbartjes së barrës së taksave dhe cikli zgjedhor mund të formojnë politikën e ardhme që synon kosto më të ulëta për tatimpaguesit e vegjël dhe duke e zhvendosur barrën drejt të pasurve dhe pasurisë së tyre që tashmë është konsoliduar në vite.  Por çdo veprim ka dhe një kundërveprim.

Votuesit masivë, që janë grupi i tatimpaguesve të vegjël priren të harrojnë më shpejt politikat fiskale që mund ti kenë penalizuar ata gjatë qeverisjes.  Ndërsa, lobet e bizneseve të mëdha me ndikim politik që i kanë përqendruar interesat e tyre drejt koncentrimit të kapitalit kanë tendencë për të mbajtur mend më gjatë, nëse zbatohet reforma e tatimit mbi fitimin e korporatave, pavarësisht nga cikli zgjedhor.

Por, borxhi publik që ka arritur nivele të larta historike është presioni më i madh për qeverinë aktuale dhe cilëndo qeveri tjetër.  Në këtë rast është mirë që të përdorim si shembuj të vlefshëm qasjen e politikave të shteteve të fuqishme europiane gjatë historisë së tyre. Kështu p.sh. Gjermania në vitet ’50, sipas analizës sonë krahasuese ka ndjekur rrugën më të mirë krahasur me vendet e tjera. Në vend që ta rriste borxhin e saj edhe më shumë dhe menjëherë, siç bëri Franca ose Britania e Madhe, ajo e bëri këtë më gradualisht, pasi Gjermania vendosi taksa progresive mbi pasurinë (kapitalet). Këto taksa, të cilat zbatoheshin progresivisht me nivelin e pasurisë neto u zbatuan të kufizuara në kohë dhe i hapën rrugën mrekullisë ekonomike gjermane të pasluftës. Edhe ne do të ishim të përfituar nëse do të ndiqnim shembullin e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Të ardhurat do t’i dedikohen ripagimit të Eurobondit të lëshuar gjatë krizës COVID ose financimit të një fondi të përbashkët rigjallërimi të ekonomisë.

Pse është kjo taksë progresive mbi pasurinë zgjidhja më e mirë?

Ulja e borxhit publik në mënyrë efektive është transferimi i pasurisë nga sektori publik në sektorin privat. Individët që tashmë kanë të ardhura të kufizuara gjatë krizës nuk mund të konsumojnë aq shumë. Ndërkohë edhe individët e pasur për arsye kufizimi kursejnë më shumë. Këto kursime mundet të financojnë borxhin e ri publik që ndihmon ata që po humbin të ardhurat e tyre gjatë krizës. Ndërsa një rritje e madhe e borxhit publik, si tashmë ka ndodhur do të thotë një akumulim edhe më i madh i pasurisë private. Në këtë situatë duket e natyrshme të kërkosh nga pasuria private të kontribuojë në ripagimin e borxhit publik pas krizës.

Një taksë e pasurisë është e preferueshme edhe në krahasim me financimin monetar direkt edhe pse në të dyja politikat do të sigurohej qartësi në alokimin e kostove duke mbajtur nën kontroll efektet nga një inflacion i pakontrolluar.

Duke qenë se pasuria është shumë e përqendruar, ai është mjeti më progresiv fiskal. Individët më të pasur prej 5% zotërojnë rreth 50% të pasurisë totale.

Kjo do të thotë që një taksë pasurie e vendosur vetëm mbi këtë grup inidividësh do të gjeneronte një sasi të madhe të taksave duke ruajtur pasurinë për pjesën më të madhe prej 95% .

Ndërkohë që kjo mund të zbatohet është e mundshme që, krahasuar me format e tjera të konsolidimit fiskal mes borxheve, ose tkurrjes së shpenzimeve publike për të shlyer borxhin e Eurobondit dhe ato prej COVID 19, një taksë pasurie ka më pak të ngjarë të dëmtojë rritjen.

Në një pjesë të madhe, kjo argumentohet sepse një taksë e kufizuar e pasurisë funksionon si një taksë kapitali. Kjo taksë taton akumulimin e pasurisë në periudhën 30 vjeçare, dhe nuk prek fitimet aktuale. Vlen të theksohet se nivele të tilla tatimi mbi pasurinë nuk janë as të mëdha as të papara. Ato janë në përputhje me normat e aplikuara nga shumë vende evropiane që kishin taksa pasurie deri vonë, të tilla si Franca, Gjermania, Danimarka dhe Suedia.

Në këtë mënyrë, së pari përafrimin me Evropën duhet ta kemi më të dukshëm nëpërmjet taksimit të të pasurve. Aq më tepër që kush ka fituar më shumë ka kohën të kontribuojë më shumë.

Publikuar më parë tek Altax.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>