Kosova ka vendosur që nga e premtja, më 20 nëntor 2020 masat e reja për komunat e Kosovës, sipas kategorizimit të ri lidhur me numrin e të infektuarve në 100 000 banorë, raporton REL.
Lëvizja e qytetarëve u përcaktua sipas numrit të të infektuarve në 7 ditët e fundit dhe masat janë të marra sipas kategorizimeve me zona.
Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë janë 18 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Kamenica.
Në komunat në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, do të ketë orë policore në këto komuna , si dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.
Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm, që kanë prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zona janë 14 komuna: Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malishevë, Suhareka, Novobërda, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Kllokoti, Rahoveci dhe Skenderaj.
Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.
Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00.
Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë bëjnë pjesë 6 komuna: Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Juniku, Istogu dhe Hani i Elezit.
Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.
Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.
Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike – (IKSHPK) ka njoftuar të premtën se gjatë 24 orëve të fundit,11 pacientë me koronavirus kanë vdekur, ndërsa janë regjistruar 855 raste të reja infektimit.