“Është teorikisht e pamundur. Nuk realizohet dot. Nuk janë vota në zgjedhjet brenda PD që praktika ka treguar numërohen sipas qejfit. Nuk ndodh është shumë e qartë dhe e thjeshtë.”
Kështu u përgjigj kryeministri Edi Rama, të martën gjatë një konference për shtyp, kur u pyet nga gazetarët për akuzat e opozitës se qeveria po fsheh numrin e vërtetë të viktimave me Covid-19.
Rama tha se janë mjekët ata që plotësojnë kartelën e pacientëve që humbin jetën:
“Nuk ka asnjë autoritet tjetër dhe asnjë forcë tjetër që të vendosë diagnozë e pacientëve dhe të mbushë kartelën e atyre që humbin jetën përveç mjekut.
Diagnozat i vënë mjekët, nuk di se çfarë përgjigje tjetër mund të jap.
Të huash një poshtërsi të tillë duhet të mendosh ndër të tjera që mjekët janë jo vetëm të papërgjegjshëm, por që të shkelin mbi vete dhe ligjin.”
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë se ka manipuluar numrin e vërtetë të viktimave me Covid-19, duke fshehur numrin real të viktimave. Basha i ka bërë thirrje prokurorisë të nisë hetimet për këtë rast duke theksuar se koha i jep mundësinë Ramës të manipulojë provat.