Deputeti vendos flamurin shqiptar në Kuvendin serb, reagojnë Daçiç dhe Bërnabiç

Nga Exit News
Deputeti vendos flamurin shqiptar në Kuvendin serb, reagojnë Daçiç dhe Bërnabiç

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka vendosur të enjten flamurin kombëtar shqiptar gjatë fjalimit të tij, raporton Koha.net.

Kryeparlamentari Ivica Daçiq i kërkoi Kamberit ta hiqte flamurin, duke i thënë se kjo është shkelje e rregullores.

“Me mirësjellje ju kërkoj të respektoni rregulloren e Asamblesë Kombëtare, që thotë qartë se është e ndaluar të shfaqen simbole të partive apo shteteve të tjera”, tha Daçiç.

Njësoj reagoi edhe kryeministrja Ana Bërnabiç duke thënë se Kamberit më shumë i intereson të flasë për flamurin se për problemet në vend.

“Do të doja të flisnim për gjëra më specifike. Nëse ju mendoni se keni të drejtën të shfaqni flamurin tuaj, që të flasim për një flamur të një shteti tjetër, kjo flet për nivelin se sa reale janë problemet që i mendoni ju për shqiptarët në Preshevë e Bujanoc”, tha Bërnabiç.

Më pas, Kamberi është përgjigjur duke i thënë se s’ka asgjë më të rëndësishme se identiteti:

“Nuk ka diçka më të rëndësishme se identiteti. Mund të kemi para dhe punë, por nëse s’kemi identitet e gjuhë… ky flamur është përdorur nga shqiptarët që nga viti 1443 dhe është më shumë flamur kombëtar se shtetëror”.

Diskutimi erdhi në ditën kur Kamberi kërkoi ndryshime në Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Minoriteteve duke thënë se “flamuri serb valvitet lirë në Graçanicë të Kosovës e në Kumanovë, por e njëjta s’vlen për tjerët në Serbi”.

Ndërkaq, Kamberi, në një postim në Facebook shkroi se barazia në të drejta është parakusht për paqen në rajon:

“Serbia mbetet i vetmi shtet në rajon që e ndalon përdorimin e simbolit kombëtar për pakicën e vet, përmes ligjit për minoritete. Përderisa pakica kombëtare serbe përdor ligjshëm flamurin në Graçanicë, Kumanovë e Kotor; flamuri shqiptar ndalohet në Luginën e Preshevës….”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>