Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi, të premten, se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka asnjë marrëveshje për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë Serbë.
Në një postim në Facebook, Hoti sqaroi se pavarësisht se ka marrëveshje për lëvizjen e lirë për lëvizjen mes dy shteteve, kur flitet për vizita të zyrtarëve të lartë, këto kërkesa vlerësohen nga institucionet kompetente:
“Qeveria respekton marrëveshjen për lëvizjen e lirë. Por, secila kërkesë për vizitë analizohet nga institucionet kompetente para se të miratohet apo të refuzohet.”
Reagimi i Hotit vjen një ditë pasi i dërguari i posaçëm i BE-së pr dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak i dërgoi Hotit një letër, ku shprehte shqetësimin për refuzimin që Kosova i bëri kërkesës së presidentit serb Vuçiç për vizitë.
Në 21 nëntor, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla i refuzoi Vuçiçit, Vulinit, Gjuriçit e Petkoviqit kërkesën për të vizituar Kosovën.
Në një deklaratë për shtyp, të shtunën, Ministrja e quajti kërkesën e Vuçiçit një ofendim për Kosovën pas zbulimit të varrezave masive në Serbi më 15 nëntor.