Mjekja infeksioniste në spitalin Covid1, Entela Kolovani tregoi, të shtunën, vështirësitë me të cilët mjekët e infermierët po përballen prej 9 muajsh, në frontin e parë të luftës kundër Covid-19.
Në një intervistë për News24, Kolovani sqaroi me fjalë të thjeshta disa nga pyetjet që shumë qytetarë kanë për sa i përket intubimit:
“Intubimi është një procedurë që e kemi konsideruar si moment ekstrem të këtyre pacientëve. Një pacient me COVID, nëse futet në intubim, do të ishte ndërhyrja ekstreme për ta shpëtuar. Kjo është një procedurë që është shpresë, por rezultatet i ka të ulëta.”
Duke folur për denoncimet e qytetarëve se të sëmurët me Covid presin me orë të tëra jashtë spitalit në autoambulanca, Kolovani tha:
“Nëse ndodh që pacientët të presin disa orë në ambulancë, aty do të presë një pacient që është vlerësuar nga mjeku se mund të pres dhe është në kushte që vazhdon të oksigjenohet. Ne pranë këtyre autoambulancave kemi vendosur një numër të bombolave të oksigjenit, në mënyrë që mos t’i ndërpritet ky oksigjen.”
Ajo i bëri thirrje të gjithë atyre që mund të ndihmojnë, që të bëhen pjesë e luftës kundër Covid-19 sepse në spitalet Covid ka nevojë për çdo lloj ndihme:
“Për të gjithë ata që flasin nga divani i shtëpisë, do të doja që të preknin me dorë këtë situatë. Të na ndihmonin nëse kanë ide më të mira. Janë të mirëpritur. Kemi nevojë dhe për njerëz që do donin që t’i jepnin një pikë ujë, apo t’i ndërronin, apo t’i prisnin sekrecionet.”