Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbyllur pa vendim, seancën e sotme për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi në votimin për qeverinë Hoti.
Deri në datë 7 dhjetor pritet që të bëhet zbardhja e seacës.
Këto argumente që dëgjuam sot, ose nëse keni argumente plotësuese mund të përmbledhen dhe të dorëzohen me shkrim deri më datën 7 në Kushtetuese, u shpreh Kryetarja e Gjykatës Arta Rama-Hajrizi.
Ajo tha se palët do të njoftohen për vendimin, sapo trupa gjykuese ta marrë një të tillë.
Kjo seancë gjyqësore po zhvillohet me kërkesë të partisë Vetëvendosja, e cila pretendon se qeveria Hoti është e paligjshme, sepse për formimin e saj ka votuar dhe deputeti Etem Arifi. Arifi ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës, në momentin që ka votuar, në 3 qeshor.
Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.
Vendimi i gjykatës për të quajtur si të rregullt apo jo votën e Arifit, do të përcaktojë dhe fatin e qeverisë së Kosovës.