Ambasadorët e BE-së shtyjnë për të hënën miratimin e konluzioneve për Shqipërinë

Nga Exit News
Ambasadorët e BE-së shtyjnë për të hënën miratimin e konluzioneve për Shqipërinë

Ambasadorët e vendeve anëtare në Bashkimin Evropian kanë shtyrë për të hënën diskutimin për miratimin e draft-konkluzioneve për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Burime nga Brukseli thanë për Exit News se mbledhja e ambasadorëve pasditen e së mërkurës u mbyll pa unanimitetin e nevojshëm.

Komisioni i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper), i përbërë nga ambasadorët e secilit vend anëtar, pritet të bien dakord të hënën për një sërë konkluzionesh lidhur me zgjerimin e BE-së, veçarisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në parim, ambasadorët kanë vlerësuar punën e Shqipërisë për reformat, por janë shprehur se përpara konferencës së parë ndërqeveritare, vendi duhet të tregojë përparim më të madh në realizimin e kushteve të vëna nga udhëheqësit e BE-së në mars 2020.

Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, ata janë shprehur se konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut mund të mbahet sapo të zgjidhjet mosmarrëveshja me Bullgarinë.

Bullgaria ka bllokuar nisjen e bisedimeve të pranimit për Maqedoninë e Veriut. Në 17 nëntor, ajo refuzoi të miratojë kornizën e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së.

Ministrja e Jashtme Ekaterina Zaharieva tha se Bullgaria nuk mund ta mbështesë nisjen e negociatave për shkak të mosmarrëveshjeve me Shkupin lidhur me historinë dhe gjuhën. Bullgaria pretendon se gjuha maqedonase është një dialekt i bullgarishtes dhe se identiteti kombëtar maqedonas është stisur pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo kërkon që ky informacion të shkruhet në dokumentin për nisjen e negociatave.

Italia u përpoq të zbuste tekstin e konkluzioneve për Shqipërinë, por kjo u refuzua.

Përfundimet e arritura sot nga ambasadorët duhet të miratohen nga këshilli i ministrave të jashtëm dhe për çështjet evropiane të vendeve të BE-së (GAC).

Nisja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të miratohet në mars 2021.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>