Partia Demokratike do të padisë në prokurori ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, për shpërdorim detyre duke përdorur helikopterin e Forcave të Armatosura për të shkuar në Dibër për fushatë elektorale.
Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi, në një intervistë për News24, deklaroi të premten:
“Ne i kemi kërkuar Prokurorisë që të hetojë. Ministrja nuk ka dhënë sqarime, madje ka përdorur palë të tretë, duke mos sqaruar opinionin publik për denoncimet publike. Ministrja Xhaçka duhet të dorëhiqej, për këtë akuza. PD ka përgatitur edhe kallëzim penal për ministren dhe drejtues të Forcave të Armatosura.”
Vokshi theksoi se Prokuroria e Posaçme duhet të kishte nisur hetimet për të tashmë duhet të sekuestronte të gjitha dokumentet, për të verifikuar uljet, ngritjet, kush ka qenë në bord të helikopterit dhe nëse lejohen që këta persona të udhëtojnë në bord.
Pak përpara deklaratave të Vokshit, edhe ministrja Xhaçka ka njoftuar se ka paditur për shpifje përfaqësuesit e PD-së, Albana Vokshin, Xhemal Gjunkshin dhe Gent Strazimirin.
Prej disa ditësh, PD ka bërë publike pamje dhe filmime për akuzat ndaj ministres Xhaçka.