Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka takuar të premten të rinjtë në Kukës,për të folur me ta për problemet me të cilat haste rinia shqiptare.
Të rinjtë e Kukësit u shprehën se situata ekonomike ka qenë pengesa kryesore për shkollimin e tyre, duke pasur parasysh dhe se Kukësi është qarku më i vërfër i vendit.
‘Prindërit, me shumë sakrificë, me borxhe, arritën që të krijojnë një shumë parash që të shkoja në shkollë’, tha një studente në Fakultetin e Mjekësisë Dentare gjatë takimit.
Ajo tha se pasi kishte paguar konviktin, doli lajmërimi se shkolla do të mbyllej dhe mësimi do zhvillohej online.
Ndërsa një tjetër i ri tha se nga një grup prej 12 shokësh, sot kanë ngelur në Shqipëri vetëm dy, ndërsa 10 kanë emigruar:
“Këta 10 kanë marrë rrugët e kurbetit, ilegalisht janë larguar, disa me borxhe disa me rrezikim, por largohen sepse nuk gjetën një vend pune dhe pas mbarimit të studimeve.”
Në fjalën e tij Basha u shpreh se emigracioni është plaga e Shqipërisë. Kryeopozitari tha se arsimi dhe kushtet e jetesës janë faktorët kryesor që largojnë të rinjtë nga vendi.
‘Të dyja këto janë të lidhura me detyrat e qeverisë. Një qeveri që i bën detyrat e saj e ka prioritet absolut rritjen ekonomike. Ne kemi pasur një plan të detajuar hartuar nga ekspertët më të mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike’, tha Basha në takim.
Ai premtoi se me ardhjen në pushtet do të bëjë politika ekonomike që do të nxisin zhvillimin ekonomik dhe do të frenojnë emigrimin e të rinjve.
“Do të krijojë mundësi për konkurrencë të ndershme, dhe jo monopole ku e gjithë Shqipëria është në duart e katër- pesë njerëzve,” u shpreh Basha.