Presidenti Ilir Meta është shprehur sot se pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 Prillit është patriotizëm dhe se do të bëjë çdo gjë që shqiptarët ta kuptojnë këtë. Mirëpo nga ana tjetër pranon se në 30 vite, kanë bërë eksperimente dhe luftë politike duke harruar rininë shqiptare.
Gjatë një intervistë televizive në RTSH, presidenti Meta kërkoi reagim për ndryshimin e situatës së demokracisë në vend pasi sipas tij sistemi i llogaridhënies “ka arritur fundin” dhe “kulmi i arbitraritetit është jashtë çdo fantazie”.
Por i pyetur se si kishte precipituar situata në këtë pikë pas 30 viteve pluralizëm, Presidenti tha:
Bëmë eksperimente. Bëmë luftë politike dhe harruam që koha rrjedh dhe që të rinjtë nuk durojnë dot gjatë. Ndaj tani jemi në atë momentin e fundit kur “restart-i” apo një rizgjim i demokracisë është edhe një apel për të ndaluar shpopullimin, për të shpëtuar edhe të ardhmen e popullit e të kombit
Për presidentin Meta janë dy elementë thelbësore që do ta ndryshonin situatën, zgjedhjet e lira dhe respektimi i Kushtetutës.
Për këtë të fundit Presidenti ka deklaruar më parë se do t’i bëhet fortesë për ta mbrojtur, ndërsa për zgjedhjet e lira tha se do të bëhen “me hir e me pahir” në 25 prill.
Se përse kjo nuk ishte bërë gjatë 30 viteve, Meta tha se ishte “mungesa e vullnetit për të pranuar demokracinë dhe votën e lirë.”
“Është një diçka që do të ndryshojë dhe do të ndryshojë se szbën më 25 prill me hir e me pahir”, shtoi presidenti.