Pothuajse gjysma e të shoqëruarve nga policia në protestat për vrasjen e Klodian Rashës në Tiranë janë të mitur sipas një raporti të Avokatit të Popullit.
Sipas raportit paraprak, në protestën e së mërkurës dhe të enjtes janë shoqëruar 124 persona, nga të cilët 57 të mitur, disa nën moshën 14 vjeç.
Disa nga të shoqëruarit kanë pohuar se nuk kishin lidhje me protestën ndërsa dy të mitur kanë thënë se iu është bërë presion nga policët që të pranojnë se kishin kryer veprime të dhunshme.
“Të gjithë të arrestuarit u intervistuan për veprimet e kryera në protestë. Disa prej tyre pretenduan se kanë marrë pjesë në protestë, por nuk kanë kryer veprime të dhunshme. Disa të tjerë pretenduan se kanë qenë kalimtarë të rastit dhe nuk kanë marrë pjesë në protestë. Dy të miturit, të pyetur nëse kanë qenë të pranishëm avokati apo psikologu gjatë marrjes në pyetje, u përgjigjen se janë pyetur vetëm nga punonjësi i Policisë i cili i ka bërë presion të pranonte se kishin kryer veprime të dhunshme.”, thuhet në raport.
Avokati i Popullit ngre shqetësimin për mbipopullimin e ambjenteve të shoqërimit në komisariate dhe procedurave të shoqërimit.
Në gjendje normale, drejtoritë vendore dhe komisariatet e kryeqytetit kanë mundësi akomodimi vetëm për 33 të shoqëruar dhe rreth 25 të arrestuar. Për shkak të emergjencës shëndetësore të COVID-19, këto kapacitetet janë edhe më të ulëta. Por siç konstatohet nga inspektimi i institucionit të Avokatit të Popullit, komisariatet kanë tejkaluar kapacitetet duke mbajtur më shumë njerëz nga normalja.
“Në momentin e inspektimit ka pasur në total një numër prej 52 të arrestuarish. Dhomat e sigurisë ishin të pajisuara me dezifektantë dhe në disa prej tyre kishte maska por nuk ishin në numër të mjaftueshëm për ta. Nga të ndaluarit, pati vetëm një numër të kufizuar pretendimesh për veprime të dhunshme nga ana e punonjësve të Policisë, por nuk pati ankesa formale të paraqitura për të mundësuar më tej hetimin e institucionit tonë.”, pohon raporti.
Për sa i përket rastit të gazetarit Xhoi Malësia, në raport thuhet se “shpjegimi verbal nga autoritetet policore ishte se ai nuk është trajtuar si i shoqëruar dhe nuk është mbajtur në dhomat e shoqërimit.”