Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të hënën në detyrë gjyqtaren pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Rilinda Selimi.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj.
Komisioni nuk gjeti probleme me deklararimin e pasurisë së gjyqtares. KPK sqaroi se bashkëshorti i saj dhe babai i këtij të fundit, kishin pasur burimeve të mjaftueshme financiare të ligjshme për blerjen në bashkëpronësi me pjesë takuese ½, të një sipërfaqe toke 432 m2 dhe një karburant në Lungomare në Vlorë në vitin 2013, kundrejt vlerës 250 mijë euro.
KPK gjeti një mungesë financiare në shumën 179 mijë lekë, ndërsa theksoi se deklarimet për pasuritë e shitura për të blerë karburantin përputheshin.
Selimi u gjet e pastër përsa iu përket figurës, pavarësisht se bashkëshorti i saj u shkarkua për kontakte të papërshtatshme.
Shkëlzen Selimi, gjyqtar në Gjykatën e lartë, sëbashku me bashkëshorten kanë patur një policë sigurimi dhe kanë përdorur një makinë që ishte në pronësi të shtetasit A.SH – i njohur si shoferi i Arben Isufajt, i dënuar për trafik droge.
Por Komisioni nuk gjeti probleme me këtë kriter dhe gjyqtarja Selimi mohoi gjatë seancës dëgjimore të ketë patur kontakte me personin.
Ndërkohë KPK hartoi një raport pozitiv për profesionalitetin e gjyqtares.
Rilinda Selimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Librazhdit dhe më pas, për rreth një dekadë në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2010, Selimi është transferuar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit.