Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Durrës, Florjan Kalaja.
Komisioni konstatoi pamundësi financiare të gjyqtarit për blerjen e një autoveture tip BMË në vitin 2015, kundrejt shumës 5600 euro. KPK tha se Kalaja e kishte pasqyruar blerjen e mjetit në dy deklarata periodike – në vitin 2014 kur kishte shënuar se mjeti ishte në proces regjistrimi dhe në 2015-ën kur kishte pasqyruar kontratën e shitblerjes.
Si burim krijimi për blerjen e këtij mjeti, Kalaja kishte deklaruar të ardhurat e tij nga paga si gjyqtar dhe pedagog, një overdraft në shumën 200 mijë lekë, një kartë krediti në vlerën 100 mijë lekë dhe të ardhura nga shitja e librave.
Ndërkohë KPK nuk konstatoi probleme me kontratat e qirasë së Kalasë në Tiranë dhe Durrës, si dhe me të ardhurat e prindërve për ndërtimin e shtëpisë në Fushë Krujë.
Përsa i përket profesionalitetin, gjyqtari Kalaja mori një vlerësim pozitiv nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Ndërkohë edhe përsa i përket figurës ai u vlerësua si i përshtatshëm për të qënë gjyqtar.
Florjan Kalaja ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe është emëruar në të njëjtin vit në Gjykatën e Vlorës. Në vitet 2016-2019, ai ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë, ndërsa aktualisht e ushtron funksionin si gjyqtar i deleguar pranë Gjykatës së Apelit Durrës