Komiteti i Ekspertëve deklaroi se ka patur një ulje të numrit të të infektuarve dhe të të shtruarve në spital për shkak të masave të vendosura.
Gjatë fjalës së tij, Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli deklaroi se masat e vendosura disa javë më parë nga ky komitet patën efekt.
“Kemi pasur mundësinë që të diskutojmë dhe të ndajmë eksperienca me kolegët turq. Gjej rastin t’i falenderoj për përkushtimin e tyre. Kemi diskutuar mbi situata epidemiologjike si dhe mbi masat e marra. Kemi shqyrtuar me vëmendje strategjinë e përballjes vjeshtë-dimër. Kolegët turq kanë pasur rastin të shkojnë edhe në terren, duke parë nga afër situatën. Kemi diskutuar edhe për vazhdimësinë edhe për problemet në të ardhmen. Ka një ulje të numrave të të shtruarve në spital dhe pozitivitetit. Ekspertët e kanë vlerësuar si një vlerë e ardhur nga masat me nivel mesatar që janë marrë. Po vazhdojmë ta monitojmë situatën që të vazhdojmë ta kemi të kontrolluar. Ky takim do të ketë vazhdimësi në të ardhmen”
Kryeministri Edi Rama zhvilloi të enjten një takim me Komitetin e Ekspertëve të Turqisë. Në takim morën pjesë anëtarët e Komitetit Teknik të vendit dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.