Komiteti i Ekspertëve ka paralajmëruar se shumë shpejt do të prezantohet strategjia e vaksinimit.
Zëvendës ministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli e deklaroi këtë gjatë takimit online të zhvilluar nga kryeministri Rama dhe Komiteteti Teknik i Ekspertëve.
“Me kolegët nga Turqia kemi disktuar mbi situatën epidemiologjike në Shqipëri, politikat e testimit, gjurmimit dhe trajtimit të pacientëve, si dhe masat e marra në faza të ndryshme të pandemisë në të dy vendet. Kemi gjetur mjaft të përbashkëta mes dy vendeve, sidomos përsa i përket trajtimit të pacientëve. Strategjia e vaksinimit është një strategji që e kemi diskutuar dhe do ta prezantojmë shumë shpejt”, tha Rakacolli.
Ajo tha se ka një rritje të qëndrueshme të rasteve pozitive.
Rakacolli deklaroi se situata po monitorohet dhe në momentin e duhur Komiteti do të mbajë qëndrimin e vet, duke vendosur masa të reja nëse do jetë e nevojshme.
“Situata ka ndjekur atë tendencë të rritjes së rasteve si në shumë vende të tjera dhe është një rritje e qëndrueshme. Kohët e fundit ashtu si është referuar dhe në komunikimet e përditshme ka një ulje të të sëmurëve në spitale dhe një ulje të pozitivitetit, e cila ka ardhur si pasojë e masave me intensitet mesatar të vendosura para disa javësh. Po monitorojmë në vazhdimësi situatën epidemiologjike dhe në bazë të treguesve do të mbajmë qëndrimet në momentin e duhur”, tha Rakacolli.