Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka bërë apel qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal. Ajo u ka bërë thirrje në veçanti grupeve që janë më të rrezikuara për t’u prekur nga gripi.
Ministria njoftoi në një komunikatë për shtyp, se ka siguruar sasi të mjaftueshme vaksinash kundër gripit. MSH deklaroi se disa doza janë shpërndarë përmes IKSHPK-së në njësitë e vaksinimit të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Janë shpërndarë mbi 140 mijë vaksina, ndërsa në stoqet e MSh/IKSHPK, ka sasi të mjaftueshme për të vaksinuar qytetarët që bien në grupet e rrezikut dhe të interesuarit e tjerë. Vaksinat të cilat po përdoren sivjet, janë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal. Ato janë, gjithashtu, parakualifikuara sipas standardeve të OBSh-së dhe garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre”, tha MSH.