Mbreti i Suedisë ka thënë se strategjia e vendit të tij kundër përhapjes së COVID-19 ka dështuar.
Kritikat ai i bëri pasi spitalet në rajonin e Stokholmit paralajmëruan vështirësinë për të përballuar një rritje të rasteve, teksa sondazhet tregojnë se besimi i publikut tek autoritetet ka rënë në një minimum historik, raporton The Guardian.
“Mendoj se kemi dështuar. Ne kemi një numër të madh humbjesh jete, dhe kjo është e tmerrshme. ”, tha mbreti Karl Gustaf i XVI-të për televizionin shtetëror SVT
Qëndrimi i mbretit vjen pasi dy rajonet kryesore suedeze të Stokholmit dhe Skane njoftuan se ata ishin detyruar të shtynin zbutjen e masave pasi sektori shëndetësor i tyre rrezikohet në rast se përballet me një valë të re të infektuarish.
Një sondazh i Ipsos për të përditshmen Dagens Nyheter të enjten, tregoi se mbështetja e publikut për autoritetet në përgjithësi ra në 34%, përqindja më e ulët e regjistruar në vend.
Besimi kishte rënë edhe për Anders Tegnell, arkitektin e strategjisë kundër COVID-19 të Suedisë, dhe Agjencinë e Shëndetit Publik.
Suedia shmangu masat bllokuese kundër pandemisë në favor të masave kryesisht me vullnet të lirë. Të mërkurën u raportua se totali i vdekjeve në vend është 7 802, me më shumë se 500 në javën e fundit dhe më shumë se 1 800 që nga fillimi i Nëntorit.
Numri i rasteve për milion banorë në Suedi është afërsisht 10 herë më i lartë se Norvegjia dhe Finlanda dhe gati pesë herë se i Danimarkës, por më i ulët se disa vende evropiane që vendosën bllokime, si Franca, Italia, Spanja dhe Britania.
Qasja e vendit deri më tani është mbështetur kryesisht në përgjegjësinë e qytetarëve për të ndjekur rekomandimet e higjienës dhe distancës, me dyqanet, baret dhe restorantet që qëndrojnë të hapura gjatë gjithë pandemisë ndërsa maskat nuk rekomandohen jashtë spitaleve.
Pasi goditi vala e dytë e pandemisë, Agjencia e Shëndetit Publik dhe qeveria nxorën rregulla më të ashpra, duke ndaluar shitjen e alkoolit pas orës 10:00, duke ulur tubimet publike nga 50 në tetë vetë dhe duke i kaluar shkollat e mesme në mësimdhënie në internet.
Njerëzve u është thënë gjithashtu që të shmangin transportin publik dhe dyqanet e mbushura me njerëz, të kufizojnë ndërveprimet shoqërore në familje dhe të mos shkojnë në palestër, bibliotekë, qendra tregtare ose vende të tjera publike.