Një përfaqësi e organizatave të lirisë së medias i ka bërë thirrje qeverisë së re të Malit të Zi që të mbështesë dhe të vendosë si përparësi të sajën mbrojtjen e lirisë së medias.
Pas 31 vjet qeverisjeje të ish-kryministrit Milo Dukanoviç, organizatat EFJ, ECPMF, SEEMO dhe MFRR i kërkuan qeverisë së re të kryeministrit Zdravko Krivokapic të vendosë lirinë e shtypit dhe medias si një ndër prioritetet në axhendën e saj.
Gjatë një misioni fakt-mbledhës në shtator 2020, organizatat zbuluan një sërë çështjesh shqetësuese që treguan se “nevojitet punë për të krijuar një peizazh mediatik të lirë dhe pluralist”.
“Misioni ynë gjeti një peizazh të medias shumë të polarizuar në vend dhe do të duhen përpjekje të qëndrueshme dhe të bashkërenduara nga Kryeministri Krivokapić dhe qeveria e tij për të përmirësuar mbrojtjen për lirinë e medias dhe sundimin e ligjit. Ata, pra, në axhendën e tyre politike, duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë adresimit të problemeve të panumërta me të cilat përballen gazetarët dhe ata që punojnë në media në Malin e Zi,” tha Nik Ëilliams, koordinator në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).
Organizatat këmbëngulën se duhet bërë një punë e konsiderueshme në mënyrë që të shpërbëhet polarizimi që sundon në fushën e medias, politikës e shoqërisë malazeze për një kohë të gjatë dhe për të siguruar një fushë loje të lirë dhe të ndershme që çdo media të punojë në mënyrë të sigurt.
Duke theksuar se nuk ka “zgjidhje të shpejtë” për këtë sfidë, organizatat bënë një sërë sugjerimesh dhe rekomandimesh:
-Dhënia fund e mosndëshkimit për krime kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias duke siguruar që policia dhe prokurorët të hetojnë të gjitha sulmet dhe kërcënimet dhe të vënë para drejtësisë autorët dhe organizatorët që qëndrojnë pas tyre;
-Vendosja e standardeve dhe parimeve të përbashkëta për rregullimin e tregut mediatik që inkurajon një fushë loje të ndershme për të gjithë aktorët;
-Vazhdimi i reformës së transmetuesit publik;
-Reformimi i mbrojtjes së burimit gazetaresk dhe, përgjithësisht, sigurimi që të gjitha ligjet e reja ose të ndryshuara të medias të hartohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira mbi lirinë dhe pluralizmin e mediave.
Ata shtuan se për të siguruar lirinë e medias dhe mundësinë më të mirë për Malin e Zi drejt integrimit europian, qeveria e re duhet të angazhohet për reformat e nevojshme për ndërtimin dhe ruajtjen e një ambienti mediatik të lirë dhe pluralist.
Këto duhet të jenë në përputhje me standardet evropiane dhe të përfshijnë mbështetjen për raportimin e interesit publik, financimin transparent, standardet e përbashkëta rregullatore dhe një mjedis të sigurt pune për gazetarët, pa sulme dhe kërcënime.
Më herët këtë vit, gjykatat e Malit të Zi shpallën fajtor gazetarin investigativ Jovo Martinoviç për trafik droge dhe shoqërim me bandat kriminale.
Në fakt Martinovic ishte duke hetuar disa grupe kriminale në kohën e arrestimit. Ai kaloi 15 muaj në paraburgim dhe më pas u dënua me 18 muaj burg, vendim të cilin ai e apeloi.
Gjykata e Lartë më pas e gjeti atë fajtor përsëri në një rigjykim dhe e dënoi atë me një vit burg. I gjithë procesi ndaj gazetarit u dënua nga organizatat e lirisë së medias të cilët thanë se vendimet ishin të motivuara politikisht.