Dega e LSI-së në Vlorë ka akuzuar kryeministrin Rama se e ka kthyer Vlorën në pjesën më të kriminalizuar të vendit.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i LSI të Vlorës, Gëzim Lacaj, denoncoi se pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, “Vlora u shndërrua në teatrin tragjik të rrëmbimeve kriminale”
“Sipas burimeve zyrtare, që prej kur Edi Rama është kryeministër e deri sot, janë referuar në Prokurorinë e Vlorës rreth 80 raste të rrëmbimit dhe të zhdukjes së personave. Vetëm në vitin 2016 kur kanabizimi i Shqipërisë arriti kulmin, janë rrëmbyer dhe zhdukur pa lënë asnjë gjurmë, 16 qytetarë të Vlorës, fatin e të cilëve nuk e di askush.”, deklaroi ndër të tjera zëdhënësi i LSI-së.
Zhdukja e qytetarëve sipas LSI-së tregon se strukturat e shtetit bashkëpunojnë me grupet kriminale.
“Krimi është fytyra e vërtetë e qeverisë dhe Vlora për fat të keq, është pjesa më e kriminalizuar e vendit, që është padyshim edhe për meritën e veçantë të deputetit të Vlorës dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.”, tha Lacaj.