Dhjetra artistë e aktivistë kanë protestuar, të dielën, para Ministrisë së Brendshme kundër dhunës që policia ka përdorur kundër protestuesve, veçanërisht ndaj katër aktivistëve të ndaluar një ditë më parë: Ergys Mërtirit, Donald Martinit, Astrit Seranajt e Gentian Hasanit.
Tre kërkesat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila është dhe organizatorja e protestës, janë:
- Marrjen a masave nga Policia e Shtetit ndaj efektivëve që ushtruan dhunën pa motiv, shkarkimin dhe procedimin penal të tyre.
- Shkarkimin dhe procedimin penal të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.
- Ristrukturimin e Policisë së Shtetit që ajo t’i rikthehet qytetarëve.
Protestuesit akuzuan qeverinë se po qeveris me dhunë policore dhe po shtyp të drejtat e qytetarëve me dhunë.
Një ditë më parë policia shoqëroi Mërtirin, Martinin, Seranajn dhe Hasanin në komisariat pa bërë të ditur arsyen.
Lajmin e bëri të ditur AMT, përmes një video të postuar në Facebook.
Në video shihet se aktivistët janë ndaluar me dhunë nga policia. Motivet e arrestimit të tyre nuk janë të qarta.
Një prej të shoqëruarve, Ergys Mërtiri, tha se policia e ka shoqëruar të shtunën në komisariat për t’i fshirë nga celulari videot që sipas tij dëshmonin dhunën policore ndaj aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT).
Në një prononcim për “Fax News”, Mërtiri rrëfen se celularin ja morën me dhunë dhe kur ia kthyen pamjet filmike ishin fshirë. Aty dukeshin policët duke goditur aktivistët e AMT që u shoqëruan në komisariat mbrëmjen e së shtunës, sipas Mërtirit.