Bylykbashi parashikon rritje shpenzimesh për fushatat zgjedhore të partive

Nga Exit News
Bylykbashi parashikon rritje shpenzimesh për fushatat zgjedhore të partive

Përfaqësuesi i PD në Tryezën Zgjedhore Oerd Bylykbashi tha të shtunën për A2 se pret që në zgjedhjet e 25 prillit partitë të rrisin shpenzimet për fushatë zgjedhore.

“Hapja e listave do të çojë në rritje dramatike të financimit të fushatës zgjedhore dhe do të ketë edhe mashtrim në raport me çfarë do të deklarohet”, tha ai.

Sipas Bylykbashit kjo rritje shpenzimesh do të vijë pasi tani kandidatët do të bëjnë edhe lufte brenda partisë. Ai tha se PD në Këshillin Politik e uli shumën e financimit të partive në fushata, por tha se kjo u ndryshua pas ndryshimit të Kushtetutës nga PS.

“Dhe nëse ia vjedhin votën brenda përbrenda njërës parti, apo të tretë, ai nuk ka të drejtën e ankimit, nuk ka rregulla për qasjen e tij në media, nuk ka rregulla për financën, pra si do mbledhë para dhe si do i shpenzojë. Ne ulëm shumë çatinë e financimit për t’u kursyer shqiptarëve para në procesin zgjedhor, por (pas ndryshimit të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor pa PD) u është dhënë mundësi kandidatëve të shpenzojnë pa fund”, tha ai.

Sipas Bylykbashit favori i PD-së janë emrat. Ai tha se kandidatë që e kanë profilin e tyre të pastër, kanë kontribut.

“Një lidership partie duhet të ketë shumë kujdes që kandidatin që do të vendosë në listën e një qarku ta ketë kandidat që është me lidhjen më të qartë të mundshme në atë qark, sepse është si puna e pemës. Një pemë mbillet aty ku rrënjët e saj përputhen me terrenin, sepse po ta çosh diku ku nuk ka lidhje ajo lloj bimësie, pema do të thahet, rezultati do të jetë më i ulët”, tha ai.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>