Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Sonila Bejtjan anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Pasi ka marrë listën e dërguar nga KED, po ditën e sotme, Meta ka emëruar Bejtjan si anëtaren e shtatë të Gjykatës Kushtetuese.
Bejtja ka kandiduar për vendin e lënë bosh nga ish-anëtari Besnik Muçi, në nëntor 2019.
Për këtë vend kishin aplikuar dhe Altin Binaj e Zhaklina Peto.
Binaj u zgjodh anëtar në GjK, pasi kishte kandiduar dhe për një post tjetër. Ndërsa Peto ka paditur KED-in pasi pretendon se është përjashtuar nga gara në kundërshtim me ligjin dhe vullnetin e saj.
Vendimi i KED-it për të hartuar një listë me vetëm një kandidat është shkelje e Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
Fillimisht, neni 125 i Kushtetutës parashikon se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese përzgjidhen nga kandidatët të renditur në tri vendet e para, nga lista e KED.
“Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.”
Kjo gjë përforcohet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku në nenin 7/c parashikon procedurën si zgjidhen anëtarët e GJK nga Presidenti i Republikës.
“Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës.”
Po ashtu, pika 5 e këtij neni parashikon se Komisioni i Ligjeve organizon seanca dëgjimore me kandidatët dhe më pas harton një listë me tre emra të cilat i dërgon në seancë plenare për tu votuar me 3/5-at e votave.
Kështu KED duhet të hartonte një listë me tre emra që gara të quhet e vlefshme, në të kundërt duhet të njoftonte presidentin për të rihapur garën.