Britania e Madhe do të hyjë përsëri në një izolim kombëtar, njoftoi të hënën kryeministri, Boris Xhonson.
Masat e rrepta do të jenë në fuqi deri në mes të shkurtit për të luftuar variantin e ri të koronavirusit, i cili sipas autoriteteve, është më ngjitës se varianti i parë.
Xhonson tha se njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi siç bënë gjatë valës së parë.
“Ndërsa po ju flas sonte, spitalet tona janë nën presionin më të madh sesa në çdo kohë, që nga fillimi i pandemisë”
Sipas rregullave të reja, shkollat dhe kolegjet fillore dhe të mesme do të mbyllen. Studentët e universitetit nuk do të kthehen në auditore të paktën deri në mes të shkurtit.
Të gjitha dyqanet jo jetësore dhe shërbimet e kujdesit personal si parukeritë do të mbyllen dhe restorantet mund të ofrojnë vetëm shërbime të marrjes së ushqimit me vete.
Anglia raportoi të hënën 26.626 pacientë me COVID-19 të shtruar në spitale, një rritje prej më shumë se 30% nga një javë më parë. Kjo shifër është 40% më e lartë se ajo gjatë valës së parë në pranverë.
Britania e Madhe raporton prej një jave shifra rekord të infektuarish me COVID-19. Autoritetet fajësojnë variantin e ri të koronavirusit i cili sipas tyre është më i transmetueshëm.
Mbretëria e Bashkuar ka autorizuar përdorimin e vaksinës së Pfizer dhe Oxford-AstraZeneca.
Aktualisht janë vaksinuar rreth 1 milion persona sipas autoriteteve shëndetësore.