Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi, të premten, qeverinë se ka braktisur qytetarët, duke iu referuar situatës së krijuar në vend nga përmbytjet.
Në një deklaratë për shtyp nënkryetari i LSI Petrit Vasili tha se Shqipëria “është mbërthyer në darën e përmbytjeve dhe të një situate moti të jashtëzakonshme”.
Ai shtoi se kjo situatë ka krijuar probleme shumë të mëdha për jetën e qytetarëve, për pronën e tyre dhe për veprimtaritë ekonomike që lidhen me to.
Por përballë kësaj situate, sipas Vasilit qeveria nuk po reagon. Duke iu drejtuar qeverisë,Vasili tha:
“Ku janë emergjencat civile për të cilat ulërihet dhe duartrokitet pa fund? Ku ndodhen?
Ku ndodhen tërë këta llafazanët e qeverisë, që nuk lënë llaf pa thënë? Këtu nuk flet thjesht dhe vetëm opozita, flasin edhe ngjarjet.
Ja ku janë! Ku e kanë këta qytetarë qeverinë e tyre? Ku ndodhet kjo qeveri?”
Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar përmbytje në shumë qarqe.
Lezha është një nga qytetet e prekura nga përmbytjet. Në një deklaratë për mediat, kreu i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu deklaroi se situata në qytet është mjaft e rënduar dhe e rrezikshme për shkak të shirave.
Ai tha se po pret ekipin e emergjencave nga Tirana për të vlerësuar gjendjen.