Presidenti në detyrë Donald Trump nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Inagurimit ku do të bëhet betimi i presidentit të zgjedhur Joe Biden, në 20 janar.
Përmes një postimi në Twitter, Trump lajmëroi:
“Për të gjithë ata që më kanë pyetur, nuk do të marr pjesë në ceremoninë e Inagurimit në 20 janar.”
Njoftimi i tij vjen mes thirrjeve gjithnjë e në rritje për dorëheqjen e Trumpit, pasi demokratët dhe një sërë republikanësh besojnë se ai është fajtor për trazirat e 6 janarit në Kapitol.
Tradicionalisht në ceremoninë e Inagurimit të presidentit të ri, marrin pjesë të gjithë ish-presidentët që janë ende gjallë – si simbol i transferimit paqësor të pushtetit.
Mbrëmjen e 6 janarit, qindra mbështetës të Trampit hynë në mënyrë të dhunshme në Kapitol, Kongesin amerikan, teksa po shqyrtohej certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.
Fillimisht Tramp i bëri thirrje protestuesve të marshonin në Kapitol. Por kur ata thyen rrethimin dhe nisi dhuna, ai i bëri dy herë thirrje mbështetësve të tij që të qetësoheshin.
Nga përplasjet me policinë, janë raportuar 4 viktima dhe mbi 50 persona të tjerë janë arrestuar.