Halil Hallaçi shet prej vitesh arra në kioskën e tij tek tregu i fruta – perimeve.
“Kam shumë vite që shes këtu, por puna po ecën shumë dobët. As 50 mijë lekë të vjetra nuk kam ba sot”.
Halili, i riu 17 – vjeçar është nga qyteti më i varfër i Shqipërisë dhe Europës, Kukësit. Ai dhe qyteti i Kukësit të kujtojnë vargjet e Poemës së Mjerimit:
“Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet;don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet”.
Në prag të Vitit të Ri pandemia ka ndikuar edhe më shumë që banorët e Kukësit të shpenzojnë sa më pak për blerjet e tyre. “Pandemia ka ndikuar shumë. Njerëzit blejnë shumë pak.
Në krahasim me vitin e kaluar unë kam fituar deri në dyzet përqind më shumë se këtë vit”, shprehet me keqardhje Halili.
Në këto kohë të vështira duket se e vetmja shpresë për Halilin dhe të rinjtë kuksian është largimi nga Shqipëria. Mundohem që ta “ngacmoj” pak. `E ke menduar ndonjëherë të largohesh në Angli`, e pyes. Buzëqesh.
“Shumë shpejt edhe unë aty”, shprehet buzagazi. Ikim. E lëmë të riun në të ftohtin që e karakterizon qytetin verilindor.
Në këtë muaj dimri habitesh sesi nuk ka dëborë në Kukës. Dëborën e ka zëvendësuar shiu.Bie një shi i rrëmbyeshëm.
Tregu i Kukësit të ngjan sikur ka ngelur prapa në kohë, një gjendje e mjerueshme të rrethon sa futesh në brendësi të tij. Ndërtesa të vjetra, shumë pak blerës, shitës që presin me padurim për ndonjë blerës.
Disa shitës mllefin e tyre mbi varfërinë e shprehin pa ekuivoke për emigracionin: “Çfarë të themi kanë ik krejt në Gjermani”. Gjatë ecjes afrohemi tek një dyqan fruta – perimesh.
Një burrë rreth të dyzetave gëzueshëm me zë të lartë i drejtohet shitësit: “Do ta marr krejt arkën me molla”. I afrohem shitësit ta pyes për blerjet. `Si ka ecur biznesi juaj në krahasim me vitin e kaluar?`- i them.
Heziton të flasë, ndërkohë që hedh sytë vazhdimisht drejt arkës me molla. Largohemi pak të zhgënjyer nga indiferenca e tij.
Pak metra më tutje ndalemi tek dyqani i Hisni Kaculit, i pozicionuar në një qoshe të rrugës së tregut. Të ulur në një stol gjejmë një djalë të vogël, rreth dhjetë vjeç, ku shiste fruta dhe perime.
Duart i fërkonte vazhdimisht nga i ftohti. Aty kuptova se të jetosh ashtu siç jeton një fëmijë ditën e tij të zakonshme, është e vështirë në një vend të varfër.
Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tjerë që mund të jenë duke u zbavitur dhe argëtuar, për djaloshin fjala `argëtim` dhe `zbavitje` duken utopike në këtë qytet. `Vetëm je?` – e pyes. “Jo, është babi te ana tjetër e rrugës”, u shpreh me ndrojtje djaloshi i vogël.
Hisniu nuk vonon shumë. Nxitimthi vjen në dyqan. Me shumë vrull dhe dëshirë për të biseduar thekson se cilat janë frutat që blejnë më shumë banorët në prag të Vitit të Ri.
“Më shumë blejnë mandarinë, portokall dhe mollë. Çmimet janë më të lira se çdo vjet, por njerëzit nuk kanë lekë me ble”. `Do vazhdosh prapë të shesësh`, e ndërpres. “Sot kam mendu se do të ketë punë, por jam i zhgënjyer . Kam dal kot”, ma kthen.
Imagjino për Vit të Ri të bësh vetëm 50 mijë lekë xhiro. Do vazhdoj deri më datë 31 dhjetor, pastaj mbas Vitit të Ri asht me dal kot. Sa me thanë se jam në punë”.
Mbas bisedës Kaculi nuk pranon të na marrë lekët e mandarinave që po blenim.“Nuk ju maj lekë për këto, mos e diskuto hiç”, këmbënguli ai. Bujaria nuk i mungon këtij qyteti edhe pse me probleme të shumta ekonomike.
Nuk mungojnë as blerësit, të cilët enden në treg me qese në duar. Agim Braha është një ndër to që e shqetëson shumë ekonomia e dobët e vendit.
“Sikur në 2020 nuk ka ba vaki asnjëherë. Me këtë ekonomi nuk kena gja n`vi”. `Më shumë blen ushqime me çmime të ulëta` – i them Agimit.
“Te çmimet e ulëta kryesisht. Nuk asht mundësia për ma tepër”, ma pret me një vështrim të hedhur drejt qeseve me pak ullinj, lakra dhe molla. “Me këtë ekonomi nuk kena gja për vi”, përsërit Braha.
Për Agim Brahën pasuritë e mëdha minerale të Kukësit janë keqshpërdoruar. “Pasuria minerale ka qenë edhe në kohën e Enver Hoxhës, por sot janë te na vjedh. Pushtetarët janë te na vjedh. Krejt fasada, krejt pushtetarët për veti”.
Ai vazhdoi më tej me një krahasim të gjendjes ekonomike me regjimin komunist: “Më ka pas thanë baba jem se 80 vjet i bana, pa qeveri leva, pa qeveri vdiça. Edhe unë po i bëj 60 vjet pa qeveri. Këtu me met me dek për bukë si në kohën e Enver Hoxhës”.
Në përfundim ai më thotë me seriozitet: “Më këto që na udhëheqin nuk kena të ardhme nëse nuk i largojmë sa ma parë”.
Pasi e përshëndesim Agimin dhe ndajmë rrugët me të, nisemi për në gjashtëkatësh. “Gjashtëkatësh”, ashtu e quajnë vendasit. Pikë orientimi për këdo që vjen në Kukës.
Në gjashtëkatësh do takohemi me Berzat Hasën. Berzati ka qenë gazetar para shumë vitesh. `Ku do takohemi`, e pyes në telefon Berzatin. “Tek restaurant Xhamlliku. Në gjashtëkatësh”, ma kthen.
Në gjashtëkatësh shikon të rinjtë që në kohën e tyre të lirë ose të rinjtë që nuk kanë mundësi për t`u punësuar qëndrojnë nëpër kafene.
Një vend i varfër si Kukësi dukej se nuk ushqente më shpresa tek të rinjtë për punësim. Ndalemi tek Xhamlliku bashkë me Berzatin. `Pse është Kukësi një vend kaq i varfër me pasuri natyrore kaq të mëdha`, e pyes.“Kukësit i kanë marrë bakrin, i kanë marrë kromin, i kanë marrë tokat për të ndërtu hidrocentralin.
Madje sot janë me qindra familje që nuk janë kompensuar ekonomikisht as nga Enver Hoxha, as nga partitë që erdhën në pushtet gjatë këtyre tridhjetë viteve”.
Për Berzatin Kukësi ka të njëjtën pasuri me vendet e botës Arabe.“Në Arabinë Saudite bota ndërhyn me subvencione, ndërton, kompenson me të mira materiale. Çfarë kanë ba qeveritë me Kukësin”, drejtohet drejt meje, teksa rrotullon lugën e kafes. “Asgjë. Absolutisht asgjë”, thotë Berzati.
Trau i vendosur në rrugën e Kombit mbetet thembra e Akilit për banorët e Kukësit. `Pse trau në Kukës?`, e ndërpres.
“Vënia e traut ka qenë treguesi më i madh se të gjithë qeveritë kanë shiku vetëm për ta mjel Kukësin, asnjëherë për t`i dhanë”, ma kthen ai. Aeroporti i Kukësit është një ndër investimet më të mëdha të premtuara nga qeveria Rama.
Berzati nuk beson te ndërtimi i aeroportit. `Pse`, i them. Me një buzëqeshje të sforcuar kujton fushatat e bëra për aeroportin.“Me aeroportin e Kukësit janë ba plot 11 fushata”.
Vëren të qeshurën time. Kupton qeshjen ironike dhe zë t`i përmend vitet kur është bërë fushatë me të.“Me aeroportin e Kukësit është ba fushatë nga viti 2001 deri në vitin 2021”, thotë me një të folur me ritëm të shpejt Hasa.
Kisha menduar që një vendi me pasuri ujore si Kukësi nuk i mungonte uji. Paskam qenë gabim. Berzati na tregon paradoksin tjetër në Kukës.“Kukësi nga maja e Gjallicës duket si një amfiteatër i rrethuar nga malet me burime të mirëfillta ujore.
Të rrethuar nga të katër anët me male banorët e qytetit vuajnë për ujë”, shpjegon ai.
Kukësi, i pari qytet në botë i nominuar për Nobelin e Paqes vuan nga papunësia dhe emigracioni në masë i banorëve. Rreth 40% e popullisë trajtohen me ndihmë ekonomike. Varfëri.
Sipas INSTAT, të ardhurat për frymë në Kukës janë 314 mijë lekë në vit. `Si ja dilni`, e pyes Berzatin.“Po të mos ishin të ardhurat nga remitancat nuk e di çfarë do të ndodhte.
Ne jetojmë taman në një epokë të dytë Migjeniane”, tund supet me vështirësi. Berzati edhe pse 61 vjeç i është sosur durimi në Kukësin e pasur, por të vjedhur.
Do të largohet nga Kukësi.”Unë iki që sot nga këtu, por e di që nuk më preferon kush për punë”.`Edhe në këtë moshë`, i them.“Po po”, shton me këmbëngulje.
Me këto fjalë përfundon biseda me Berzatin. Kukësi i vendosur në këmbët e malit të Gjallicës vuan. Pa ujë. Pa ekonomi. Pasuritë natyrore të shfrytëzuara. Pa rini. Varfëri.
“A don qymyr zotni?”, na vjen sërish në ndihmë Migjeni, nga viti i largët 1936. Të paktën, kjo më kujtohet në këto ditë të fundit të vitit 2020.