Bullgaria ka dënuar të premten aktin e djegies së flamurit bullgar gjatë Karnavaleve të Vevçanit, në Maqedoninë e Veriut, të enjten.
Ministrja e Jashtme e Bullgarisë Ekaterina Zaharieva dënoi aktin duke u shprehur se i ka dërguar një notë proteste Maqedonisë së Veriut:
“Pas publikimeve mediatike të djegies së flamurit bullgar në fshatin Vevçani në Republikën e Maqedonisë së Veriut, urdhërova ambasadorin bullgar në Shkup, Angell Angellov që t’ia shprehë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pakënaqësinë tonë të thellë për atë akt vandal.
Ambasadori Angellov tashmë ia ka dorëzuar një notë të ashpër proteste Ministrisë së Jashtme të RVM-së”.
Pas reagimit të Bullgarisë Ministria e Jashtme në Maqedoninë e Veriut dhe Presidenti dënuan aktin e djegies së flamurit bullgar, sipas mediave maqedonase.
Sipas Ministrisë së Jashtme “tradita shekullore nuk duhet të rrezikohet përmes aktiviteteve që nënçmojnë ose fyejnë popujt, kombet”.
Ministria tha:
“Dënojmë djegien e flamurit të Republikës së Bullgarisë në Karnavalin në Vevçani, një akt që jo vetëm dëmton reputacionin e Karnavalit por gjithashtu dëmton reputacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.”
Ndërsa presidenti Stevo Pendarovski tha se djegia e flamurit është e papranueshme dhe e dënueshme. Ai shtoi:
“Midis fqinjëve është e nevojshme të ndërtohet besimi, mirëkuptimi dhe respekti”.
Dy vendet janë prej vitesh në konflikt me njëra-tjetrën.
Bullgaria refuzoi në 17 nëntor 2020, në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së të miratojë kornizën e negociatave të Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, duke bllokuar efektivisht fillimin zyrtar të bisedimeve të pranimit për vendin fqinj.
Bullgaria kërkon garanci nga Maqedonia e Veriut se nuk do të ketë asnjë pretendim për një pakicë maqedonase në Bullgari. Ajo gjithashtu dëshiron që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, e cila thotë se rrjedh nga bullgarishtja.