“Vendi ka nevojë për një përmbysje, në kuptimin më të mirë të fjalës.
Është momenti për një ndryshim të fortë dhe të qartë të vendit, që do përcaktojë një rrugë të qartë europiane, dhe kjo arrihet vetëm përmes një ndryshimi.”
Kështu deklaroi të shtunën, presidenti Ilir Meta në një intervistë për News24.
Meta i bëri apel qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 prillit dhe të ndëshkojnë me votë ata politikanë që i kanë gënjyer.
Presidenti tha se vitet e fundit vendi ka mbetur në një stanjacion krize, që vihet re kudo në shoqëri.
“Kemi të bëjmë me një mungesë shprese dhe pasiguri, që duhet të marrë një përgjigje përmes 25 prillit.
Për mua si President, është e rëndësishme që i gjithë populli shqiptar ta vlerësojë si një referendum 25 prillin, për të ardhmen e tij europiane, që është vënë në diskutim tepër serioz.”
Duke folur për vështirësitë që mund të hasen për mbajtjen e zgjedhjeve gjatë pandemisë, Meta tha se nuk e shikon problematike situatën:
“Janë bërë zgjedhje shumë korrekte në Maqedoni, në kushte të tilla. Do bëhen zgjedhje edhe në Kosovë. Nuk e shikoj problematike të respektohen distancat, të respektohen protokollet.”