Presidenti Ilir Meta i bëri apel qeverisë që të nisë sa më parë ndërtimin e rrugës së Selenicës, një kërkesë e të gjithë banorëve të zonës.
Gjatë një vizite në Selenicë ku takoi dhjetra banorë, të hënën, Meta tha se të gjithë ishin njëzëri në kërkesën kryesore, ndërtimin e rrugës.
Meta theksoi se i informoi qytetarët për projektin e rrugës:
“I informova në detaje për të gjitha përpjekjet e mia të palodhura për ndërtimin pa vonesa të saj dhe për të mos lejuar më talljen me Selenicën, duke i garantuar se përherë do të jem në krahun e tyre.”
Prej kohësh banorët e Selenicës kanë ngritur zërin për ndërtimin e rrugës që kalon në qytetin e tyre, e cila do të ishte loti i katërt i rrugës së Lumit të Vlorës.
Qeveria Rama e ka anuluar tenderin për këtë lot dhe ka hartuar një projekt të ri që e devijon rrugën për të mos kaluar në Selenicë, por në Poçem.
Ndërtimi i kësaj rruge shihej si shpëtim për Selenicën pasi do ta lidhte atë me Vlorën dhe autostradën Levan Tepelenë.
Presidenti Meta dhe qeveria Rama janë përplasur për këtë projekt, por qeveria deri tani nuk ka bërë transparencë për ndryshimin e projektit.