Partia Demokratike akuzoi, të mërkurën, qeverinë Rama se ka dështuar me arsimin dhe ka gënjyer mësuesit për rritjen e pagave.
Përmes një deklarate për shtyp, ish-deputetja Albana Vokshi renditi disa prej problemeve krysore me të cilat hasen çdo ditë mësuesit dhe nxënësit gjatë qeverisjes së Ramës, të cilën ajo e quajti ‘qeveria më e keqe që ka patur ndonjëherë Shqipëria’.
Vokshi deklaroi se Rama dhe ministria e Arsimit nuk kanë asnjë plan konkret për të përballuar efektet e pandemisë në arsim:
“Në 3 javë, qeveria bëri pushim, bëri turizëm luksoz me mish me flori në restorantin më të shtrenjtë në Dubai, por nuk mori asnjë masë për të siguruar mësim në kushte minimale për nxënësit dhe mësuesit.
Dështim për të siguruar kushtet për mësim fizik në shkolla. Dështim për mësimin online. Dështim për mësimin e alternuar.”
Vokshi tha se i vetmi udhëzim që ministria ka dhënë nëpër shkolla është hapja dhe mbyllja e dritareve, teksa temperaturat në vend që shkojnë edhe në minus.
Ajo theksoi se për shkak të keqmenaxhimit, 16 mësues janë ndarë nga jeta këto muaj, për shkak të infektimit me Covid-19.
Vokshi po ashtu akuzoi Ramën se ka mashtruar mësuesit për rritjen e pagave:
“Nga viti 2013 deri tani, duke llogaritur edhe inflacionin, rritjen e çmimeve çdo vit, pothuajse nuk ka rritje reale të pagave me Edi Ramën. Premtoi rritje të madhe të pagave, por rriti vetëm mashtrimet dhe propagandën.
Kjo është arsyeja pse sindikatat e mësuesve kanë ngritur zërin për ketë mashtrim të Edi Ramës me të ashtuquajturën rritje të pagave.”
Vokshi premtoi se me rrëzimin e qeverisë Rama në 25 prill, situata në arsim do të ndryshojë:
“Rritja e vërtetë e pagave për mësuesit, investimi për shkolla me kushte për fëmijët tanë është prioritet absolut për Partinë Demokratike!
Me pjesëmarrjen më të lartë në historinë e vendit, në 25 prill, ne do të çlirohemi nga kjo qeverisje e keqe, e dështuar dhe e korruptuar për të sjellë në vend shpresë dhe ndryshim.”