Ulsi Manja: 21 janari do zbardhet plotësisht pas reformës në drejtësi

Nga Exit News
Ulsi Manja: 21 janari do zbardhet plotësisht pas reformës në drejtësi

“Unë besoj që 21 janari mund të zbardhet plotësisht. Nëse do të zbardhet tërësisht si krim shtetëror, kjo dosje padiskutim që mund të përfundojë në dyert e SPAK.”

Kështu deklaroi të enjten Ulsi Manja, kreu komisionit të Ligjeve dhe deputet socialist, në një intervistë për News24.

Në 10 vjetorin e trazirave të 21 janarit, ku humbën jetën 4 qytetarë, Manja tha se qeveria Rama ka bërë detyrat e saja, por nuk i takon asaj të bëjë drejtësi.

Manja shtoi se qeveria ka nisur reformën në drejtësi, pikërisht për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjeve si këto:

“21 janari është çështje e drejtësisë. Vrasjet nuk i zbardh qeveria, ne krijojmë shtratin e nevojshëm për një drejtësi të pavarur.

Ajo që na takon neve si mazhorancë është raporti jonë me drejtësinë. Në këto 8 vjet ne kemi ndërmarrë një nga reformat më të thella, ajo në Drejtësi, dhe shpresojmë që drejtësia e re do duhet ta ketë në tryezën e saj të punës zbardhjen e 21 janarit.”

Lidhur me kërkesën e policisë së Tiranës për rihapjen e hetimeve për vrasjen e Aleks Nikës, e cila ka mbetur pa autor, Manja tha:

“Ka veprime hetimore për ta risjellë skemën e 21 janarit, dhe kjo është tërësisht e mundur të kryhen edhe sot nga Prokuroria. Përsëri ka prova po të kthehet në vendin e ngjarjes.”

Paraditen e së enjtes, në 10 vjetorin e vdekjes, Rama i shpalli ‘Dëshmorë të Atdheut’ katër viktimat, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>