Parkimi nëntokësor në stadiumin kombëtar Air Albania është përmbytur, pas reshjeve të orëve të fundit.
Burime për Exit News njoftuan se kati i dytë nëntokë është mbyllur dhe aty nuk lejohet më parkimi i makinave.
Në foto dallohet dhe problemet që ka shkaktuar uji në muret e parkimit dhe në strukurën e shkallëve.
Ky parkim i ka kushtuar qytetarëve të Tiranës rreth 6 milionë euro, dhënë klientëve të zakonshëm të Ramës e Veliajt, përmes tenderëve të dyshimtë.
Punonjësit e parkimit kanë vënë një pompë thithëse për largimin e ujit, por dëmet në mure janë bërë. Për më tepër, pritet që reshjet e shiut të shtohen në ditët në vijim, duke e bërë më të vështirë menaxhimin e situatës.
Punimet për parkimin nëntokësor kanë nisur nga kompania AlbStar që me nisjen e punimeve për stadiumin, në vitin 2018.
Në janar 2018, Bashkia Tiranë i dha fillimisht 2,5 milionë euro Albstar shpk, kompanisë që ndërtoi stadiumin e ri, për ndërtimin e parkimit nëntokësor në Sheshin Italia, para stadiumit.
Ndërsa projektimi i parkimit ka kushtuar rreth 7,6 milionë lekë, afërsisht 57 mijë euro dhe është financuar, gjithashtu nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
Projektimi është realizuar nga klientë të zakonshëm të qeverisë Rama, të cilët ndër të tjera kanë projektuar dhe mbikqyrur ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar.
Sfera Studio e Artan Shkrelit, ish-këshilltarit të Ramës në mandatin e parë dhe, dhe Marco Casamonti i firmës Archea Associati, projektues i stadiumit të ri kombëtar për llogari të Albstar shpk, janë dhe projektuesit kryesorë të parkimit.
Pas këtyre tenderëve, bashkia i kërkoi qeverisë të shpronësonte një ndërtesë në jug të zonës e më pas miratoi projektin e dytë për rikualifikimin e tij me vlerë 2,4 milionë të tjera, që e çon shifrën vetëm për ndërtimin e parkimit në mbi 5,9 milionë euro.
Të gjitha këto kosto u mbuluan nga buxheti i Bashkisë.
Pas gjithë këtyre tenderave qëndrojnë kompanitë dhe njerëzit pranë Veliajt e Ramës: Artan Shkreli, Arben Dervishaj, Marco Casamonti, Alket Kumaraku, Artan Dervishaj, të cilët përfitojnë punë publike me tendera të tillë të dyshimtë – shpesh edhe në konflikte interesi – falë lidhjeve me pushtetin e Ramës dhe Veliajt.
Pjesë e ekipit projektues ishte edhe Ave Counsulting, kompania e Arben Dervishaj, shefi i sektorit të infrastrukturës sportive në FSHF dhe supervizori i ndërtimit të stadiumit të ri—me gjasa në konflikt të hapur interesi, pasi ai duhet të supervizonte Albstarin në ndërtimin e stadiumit, ndëkohë që në projektin e parkimit ishte bashkëpunëtor me Albstarin.